Aktorja e njohur kolumbiane, Sofia Vergara, është përfshirë plotësisht nga ethet e Kampionatit Botëror dhe ka treguar publikisht mbështetjen e saj për vendlindjen, Kolumbinë.
Ylli i serialit të famshëm “Modern Family” publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet e veshur me fanellën e kombëtares kolumbiane, duke u uruar sukses futbollistëve para ndeshjes së tyre të parë në turne.
Duket se mbështetja e saj ka sjellë fat, pasi Kolumbia e nisi me fitore aventurën në Botërorin 2026. Në ndeshjen e zhvilluar në Mexico City, kolumbianët mposhtën Uzbekistanin me rezultat 3:1, ndërsa goli i tretë u shënua vetëm pak sekonda para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit.
Vergara ishte përfshirë në promovimin e turneut edhe para nisjes së tij, së bashku me aktorin Owen Wilson. Me atë rast, ajo deklaroi se do të mbështeste Kolumbinë deri në fund të garës.
Megjithatë, fakti që Botërori po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka sjellë edhe një dilemë personale aktores.
Në një intervistë për revistën People, Sofia zbuloi se po e ka të vështirë të vendosë se cilët anëtarë të familjes do t’i shoqërojë në ndeshje.
“Kjo ka anët e veta pozitive dhe negative. Për shembull, do të kem mundësinë të ndjek disa ndeshje bashkë me ta”, tha ajo.
“Do të mund të bëjmë atë që zakonisht bëjmë kur mblidhemi së bashku – të hamë, të kalojmë kohë me njëri-tjetrin dhe të shoqërohemi”, shtoi aktorja.
Megjithatë, organizimi nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Kjo më ka krijuar një problem të vogël, sepse mund të shkoj në disa ndeshje, por nuk mund t’i marr të gjithë me vete”, u shpreh Vergara.
“Ka nisur një garë e vogël brenda familjes për të vendosur se kush e meriton të shkojë në Botëror. Por gjithsesi, është argëtuese”, tha ajo me humor. /Telegrafi/






