Në ndeshjen hapëse të Kroacisë në Kupën e Botës 2026, një emër tërhoqi vëmendjen e tifozëve dhe analistëve, Martin Baturina.
Mesfushori 23-vjeçar realizoi një gol të jashtëzakonshëm ndaj Anglisë, duke barazuar shifrat (1-1) dhe duke konfirmuar pse konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit kroat.
I cilësuar prej vitesh si pasardhësi natyror i Luka Modrić, Baturina po ndërton me shpejtësi reputacionin e tij në skenën evropiane.

Ai vjen pas një sezoni mbresëlënës me Como 1907, ku u shndërrua në një nga organizatorët më të rëndësishëm të skuadrës.
Qetësia me topin, vizioni i lojës dhe aftësia për të krijuar raste e kanë bërë atë një nga mesfushorët më të vlerësuar të gjeneratës së re. Pikërisht këto cilësi kanë sjellë krahasimet e vazhdueshme me Modriçin, me të cilin tashmë ndan edhe dhomën e zhveshjes te kombëtarja kroate.
Në sfidën ndaj Anglisë, Baturina kurorëzoi një kundërsulm perfekt me një goditje të fuqishme dhe të saktë, duke mposhtur portierin Jordan Pickford dhe duke rikthyer Kroacinë në lojë.
Goli ishte një demonstrim i cilësisë së tij teknike dhe i aftësisë për të marrë përgjegjësi në momentet më të rëndësishme.
Në moshën 23-vjeçare, ai po dëshmon se është gati për skenën më të madhe të futbollit botëror.
Sezoni i fundit në Itali e ka vendosur Baturinën në radarët e klubeve më të mëdha evropiane. Me paraqitje të nivelit të lartë dhe me ndikim të madh në lojën e skuadrës së tij, kroati po konsiderohet si një nga mesfushorët më interesantë të futbollit evropian.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Kupën e Botës 2026 mund ta shfrytëzojë si skenën ideale për t’u shndërruar në një nga emrat më të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar. /Telegrafi/





