Rusia vendos kufizime për fluturimet e aeroplanëve të vegjël privatë dhe dronëve në Moskë dhe rajonet përreth, duke vendosur një kërkesë për lartësi minimale fluturimi, njoftoi sot agjencia ruse e aviacionit Rosaviatsiya.
Rusia gjatë muajve të fundit ka raportuar vazhdimisht sulme me dronë nga Ukraina, veçanërisht të drejtuara ndaj zonave pranë Moskës.
Sipas masave të reja, avionët e lehtë, “ultralight” dhe dronët do të duhet të fluturojnë në lartësi jo më të ulëta se 5200 metra, një lartësi që është jashtë mundësive të shumicës së këtyre mjeteve ajrore.
Kufizimet do të zbatohen në Moskë dhe në rajonin e Moskës, ndërsa në masë më të kufizuar edhe në rajonet Rjazan, Tula, Kaluga, Tver, Jaroslavl dhe Vladimir.
Autoritet ruse theksojnë se masat do të hyjnë në fuqi më 20 qershor, raporton reuters.
Fluturimet e rregullta të pasagjerëve dhe fluturimet charter do të vazhdojnë të zhvillohen normalisht. /Telegrafi/






