Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror. Kapiteni i Argjentinës ishte protagonisti absolut në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen e parë të Grupit J në Kupën e Botës 2026, duke realizuar një het-trik dhe duke vendosur disa rekorde të jashtëzakonshme.
38-vjeçari shënoi të tre golat e Argjentinës, duke e çuar numrin e realizimeve të tij në Kampionatet Botërore në 16. Me këtë shifër, ai barazoi rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose, i cili deri tani qëndronte i vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.

Paraqitja ndaj Algjerisë ishte historike edhe për një arsye tjetër. Messi u bë futbollisti i parë në histori që luan në gjashtë Kupa Bote radhazi, duke qenë pjesë e turneve të viteve 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe 2026.
Për më tepër, ylli argjentinas vendosi edhe rekordin si lojtari më i vjetër që realizon het-trik në një ndeshje të Kupës së Botës. Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, ai theu rekordin e Cristiano Ronaldos, i cili kishte shënuar tre gola ndaj Spanjës në Botërorin e vitit 2018 në moshën 33 vjeç e 130 ditë.
Me tre golat ndaj Algjerisë, Messi u bë gjithashtu vetëm argjentinasi i katërt që realizon het-trik në një Kampionat Botëror, pas Guillermo Stábile, Gabriel Batistuta dhe Gonzalo Higuaín.
Mbrëmja historike u kompletua edhe me një tjetër shifër mbresëlënëse, pasi ndeshja ndaj Algjerisë ishte paraqitja e 200-të e Messit me fanellën e Argjentinës.
Në moshën 38-vjeçare, Messi vazhdon të sfidojë kohën dhe të shtojë kapituj të rinj në një karrierë që prej kohësh ka hyrë në histori si një nga më të mëdhatë që ka njohur futbolli. /Telegrafi/





