Zendaya dhe Tom Holland kanë pozuar së bashku në tapetin e kuq për herë të parë pas pesë vjetësh, teksa kanë nisur turneun promovues për filmin e tyre të ri të Spider-Man.
Çifti, për të cilin po qarkullojnë thashetheme se së fundmi janë martuar, u shfaq shumë i afërt gjatë sesionit fotografik promovues të filmit Spider-Man: Brand New Day në Madrid të hënën.

Zendaya mahniti me një fustan të ngushtë në pjesën e bustit, me një çarje të lartë në këmbë dhe fund me thekë. Tom u koordinua me partneren e tij, duke zgjedhur një kostum të zi, ndërsa jaka e këmishës së tij të kuqe të ndezur dukej lehtë – një referencë ndaj rolit të tij si Spider-Man në filmin e shumëpritur.
Herën e fundit që çifti pozoi së bashku në tapetin e kuq ishte gjatë promovimit të filmit Spider-Man: No Way Home në vitin 2021, periudhë kur ata konfirmuan edhe lidhjen e tyre romantike.
Tom kishte deklaruar më parë për revistën Men’s Health se zakonisht shmang ecjen në tapetin e kuq së bashku me Zendaya-n gjatë premierave, sepse, sipas tij, “nuk është momenti im, është momenti i saj, dhe nëse shkojmë bashkë, atëherë vëmendja përqendrohet tek ne”.





