Shtëpia e Bardhë u shndërrua në arenë luftimesh të shtunën mbrëma, teksa presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti i UFC-së, Dana White, organizuan eventin spektakolar “UFC Freedom 250” në lëndinën jugore të rezidencës presidenciale.
Mbi 4 mijë tifozë ndoqën nga afër mbrëmjen historike, e organizuar në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së dhe ditëlindjen e 80-të të Trumpit.
Në duelin kryesor të mbrëmjes, amerikani Justin Gaethje shkaktoi një nga surprizat më të mëdha të vitit, duke mposhtur kampionin Ilia Topuria dhe duke unifikuar titujt në kategorinë e peshës së lehtë.
Pas triumfit, Gaethje festoi me një salto nga kafazi dhe më pas u afrua pranë Trumpit me flamurin amerikan mbi supe dhe brezin e kampionit në krah.

“Jam nga Amerika. Para 250 vitesh ne ishim shumë më tepër se favoritë 6 me 1 kundër nesh. Ende nuk mund ta besoj këtë fitore”, deklaroi Gaethje.
Topuria dhe Gaethje bënë hyrjen drejt kafazit direkt nga Zyra Ovale, ndërsa fishekzjarrët ndriçonin qiellin gjatë prezantimeve të legjendarit Michael Buffer.
Në ndeshjen bashkëkryesore, Ciryl Gane mposhti Alex Pereiran me nokaut teknik pas vetëm 1 minutë e 27 sekondash në rundin e dytë, duke fituar titullin e përkohshëm të peshës së rëndë dhe duke siguruar një përballje të re me kampionin Tom Aspinall.
Ashtu si shumë prej fituesve të mbrëmjes, edhe Gane falënderoi Trumpin pas suksesit të tij.
Atmosfera patriotike dominoi të gjithë eventin. Grupi muzikor i Marinës Amerikane interpretoi muzikën hyrëse të luftëtarëve, ndërsa Zac Brown këndoi himnin kombëtar amerikan, diçka që rrallë ndodh në eventet e UFC-së për shkak të pjesëmarrjes së sportistëve nga shumë shtete.
Mbi Shtëpinë e Bardhë fluturuan avionët e famshëm Blue Angels dhe Thunderbirds, duke i dhënë spektaklit një dimension të veçantë.
Në mesin e të pranishmëve ishin figura të njohura si drejtori i Metës, Mark Zuckerberg, dhe drejtori ekzekutiv i Paramount Skydance, David Ellison.
Një tjetër moment i veçantë ishte fitorja e Bo Nickal, i cili pasi triumfoi ndaj Kyle Daukaus me nokaut teknik, doli menjëherë nga kafazi për të përshëndetur Trumpin pranë arenës.
Ndërkohë, Sean O’Malley fitoi me nokaut spektakolar dhe festoi suksesin me një përshëndetje ushtarake para publikut entuziast.
Për organizimin e eventit, sipas dokumenteve të publikuara nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare, u investuan më shumë se 60 milionë dollarë dhe mijëra orë pune për ndërtimin e arenës së përkohshme në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë.
Mbrëmja u konsiderua kulmi i marrëdhënies së gjatë mes Donald Trumpit dhe Dana White, një bashkëpunim që daton që nga viti 2001, kur White organizoi eventin e tij të parë si president i UFC-së në Trump Taj Mahal.
Për herë të parë në histori, luftëtarët e UFC-së ecën drejt kafazit në korridoret e Krahut Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, duke e bërë “UFC Freedom 250” një nga eventet më të pazakonta dhe më të komentuara në historinë e sporteve luftarake./Telegrafi/





