Në mbledhjen e 294-të, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi që prokurorja Shqiponjë Jupa të caktohet zëvendëskryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Gjakovë me mandat 4-vjeçar.
Propozimi për caktimin e Jupës në këtë pozitë, u bë nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, Këshilli caktoi prokurorin Arianit Salihu- anëtar të Grupit Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Gjithashtu, KPK aprovoj propozimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për caktimin e prokurores Fitore Sadikaj anëtare të Komisionit të Akteve Normative të FFK-së.
Më pas, Këshilli miratoi kërkesën e prokurores Vjosa Bytyqi për vazhdimin e pushimit të lehonisë.
Gjithashtu, KPK mori vendim për kompensim të kujdestarisë, duke përcaktuar ditën dhe shumën e kompensimit që kanë të drejtë ta shfrytëzojnë me rastin e mbajtjes së kujdestarive brenda sistemit prokurorial.
Mbledhja vazhdoi me dyer të mbyllura ku do të shqyrtohet kërkesa për hetim disiplinor AD.nr.02/2026 për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj. /Telegrafi/





