Programi edukativ ”Të Rinjtë në Teknologji”, i organizuar nga Kosova Makers League me mbështetjen e KEP Trust, është përmbyllur me sukses me ekipet e shkollave të mesme nga komuna e Shtimes, duke u ofruar të rinjve mundësinë të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim, robotikë dhe inteligjencë artificiale.
Ky program është realizuar përmes tre trajnimeve fizike, të shoqëruara dhe me vizita në shkolla. Trajnimi i parë, me gjithsej 23 pjesëmarrës, u fokusua në bazat e programimit në Python dhe në njohjen me robotikën. Trajnimi i dytë trajtoi konceptet themelore të inteligjencës artificiale dhe implementimin e kamerës me inteligjencë artificale tek roboti micro:Maqueen Plus, me rreth 22 pjesëmarrës. Ndërkohë, trajnimi i tretë, me 21 pjesëmarrës, kishte karakter thellësisht praktik dhe u orientua në ndërtimin e projekteve funksionale përmes moduleve elektronike.

Në total, gjatë tre moduleve janë regjistruar rreth 66 pjesëmarrës, ndërsa në kuadër të programit janë mbajtur edhe tre sesione informuese pas çdo trajnimi të modulit përkatës, me gjithsej 9 pjesëmarrës, si dhe janë realizuar vizita në shkolla që kanë përfshirë 41 nxënës. Programi u përmbyll me një panair prezantues, ku rreth 25 pjesëmarrës prezantuan projektet e tyre dhe u certifikuan për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë programit.
Ndikimi i programit reflektohet më së miri përmes përvojave të vetë pjesëmarrësve. Një nga ekipet nga IAAP Shtime shprehet:
“Gjatë modulit të tretë kemi punuar me Arduino MKR 1000, ku mësuam bazat e lidhjeve dhe programimit. Si ekip bashkëpunuam mirë dhe arritëm të krijojmë një projekt të thjeshtë, duke përmirësuar aftësitë tona në kodim. Ishte një eksperiencë e bukur dhe gjithashtu na ndihmoi të zhvillojmë aftësitë tona në punë ekipore dhe zgjidhjen e problemeve. Faleminderit shumë për këtë eksperiencë të bukur që na dhuruat.”
Përmes këtij programi, të rinjtë patën mundësinë të zhvillojnë aftësi teknike, të forcojnë bashkëpunimin dhe të fitojnë besim në përdorimin e teknologjive moderne. Kosova Makers League falënderon KEP Trust për mbështetjen e këtij programi, si dhe shkollat partnere, mentorët dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan në suksesin e tij. Investimi në edukimin teknologjik të të rinjve mbetet investim në të ardhmen e Kosovës.





