Kryetari i Komunës së Bujanocit ka apeluar tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm lidhur me nënshkrimin e autorizimeve për ngritjen e padive gjyqësore kundër komunës, pas informacioneve se disa persona po kontaktojnë pronarë parcelash në territorin e komunës.
Sipas tij, këta persona po paraqiten si avokatë, në bashkëpunim me një person tjetër që prezantohet si profesor doktor dhe vepron në jetën publike lokale, duke kërkuar nga qytetarët autorizime për padi me pretendimin se në pronat e tyre janë ndërtuar rrugë lokale.
Ai thekson se, në disa raste, procese të tilla gjyqësore mund të kenë edhe sukses dhe të sjellin kompensime për pronarët e tokave. Megjithatë, sipas tij, përfitimi për qytetarët zakonisht është i kufizuar, ndërsa pjesa më e madhe e përfitimeve shkon për avokatët dhe ndërmjetësuesit.

Në të njëjtën kohë, ai paralajmëron se inicimi i këtyre padive mund të shkaktojë pasoja serioze financiare për komunën, duke rrezikuar projekte infrastrukturore, shërbime publike, institucione arsimore dhe pagesat për punëtorët komunalë.
Kryetari thekson se Komuna e Bujanocit respekton të drejtën e qytetarëve për mbrojtje ligjore, por u bën thirrje që para çdo nënshkrimi të konsultohen me organet komunale dhe të informohen saktë për pasojat e mundshme.
Komuna mbetet e hapur për bashkëpunim dhe dialog me qytetarët, me qëllim zgjidhjen e çështjeve në mënyrë ligjore dhe në interes të përbashkët./BujanociNet/
Teksti i plote i kryetarit të Komunës së Bujanocit Arber Pajaziti.
Të nderuar qytetarë,
Së fundmi kemi marrë informacione se disa persona, duke u paraqitur si avokatë në bashkëpunim me një të ashtuquajtur profesor doktor, i cili shpesh paraqitet edhe si njohës i zhvillimit ekonomik lokal dhe është i përfshirë në politikën lokale, po kontaktojnë pronarë të parcelave në territorin e Komunës së Bujanocit.
Ata po kërkojnë që qytetarët të japin autorizime për ngritjen e padive kundër Komunës, me pretendimin se në tokat e tyre janë ndërtuar rrugë lokale.
Dua t’ju bëj thirrje që të jeni shumë të kujdesshëm dhe të mos bini pre e manipulimeve dhe premtimeve të rreme. Edhe pse në disa raste ekziston mundësia që procese të tilla gjyqësore të kenë sukses, dhe qytetarët të mund të përfitojnë kompensim, realiteti është se përfitimi i pronarëve zakonisht është i vogël, ndërsa përfitimet më të mëdha shkojnë për avokatët, ndërmjetësuesit dhe organizatorët e këtyre proceseve.
Nga ana tjetër, pasojat për Komunën e Bujanocit mund të jenë shumë të rënda. Këto procese mund ta fusin komunën në një krizë të re financiare, duke rrezikuar realizimin e projekteve infrastrukturore, funksionimin normal të shërbimeve publike, pagesat për institucionet arsimore, si dhe pagat e punëtorëve që çdo ditë u shërbejnë qytetarëve.
Ne respektojmë të drejtën e çdo qytetari për të kërkuar mbrojtje ligjore. Megjithatë, kemi obligim të paralajmërojmë opinionin kur individë të caktuar tentojnë të përfitojnë personalisht në kurriz të interesit të përgjithshëm të komunës dhe qytetarëve të saj.
Prandaj apelojmë që, para se të nënshkruani çfarëdo autorizimi apo dokumenti, të konsultoheni me organet komunale dhe të informoheni saktë për pasojat e mundshme.
Komuna e Bujanocit mbetet e hapur për bashkëpunim dhe dialog me të gjithë qytetarët, me qëllim që çdo çështje të zgjidhet në mënyrë të drejtë, ligjore dhe në interes të përbashkët.
Mos lejoni që interesat e disa individëve të rrezikojnë të ardhmen dhe zhvillimin e komunës sonë.
Faleminderit.




