1 milion euro për deponitë ilegale – Kurti prezanton paketën e emergjencës për menaxhimin e mbeturinave

Nacionale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sektori i menaxhimit të mbeturinave përbën një nga pikat më të ndjeshme të sistemit institucional në vend dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar. Ai ka theksuar se trajtimi i mbeturinave kërkon bashkëpunim të gjerë institucional dhe shoqëror. “Sektori i mbeturinave mund të konsiderohet […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sektori i menaxhimit të mbeturinave përbën një nga pikat më të ndjeshme të sistemit institucional në vend dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar.

Ai ka theksuar se trajtimi i mbeturinave kërkon bashkëpunim të gjerë institucional dhe shoqëror.

“Sektori i mbeturinave mund të konsiderohet pika më neuragjike e tërë sistemit institucional në vendin tonë. Mbledhja e trajtimi i mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër shoqëror e institucional, gjë që nuk është lehtë e arritshme,” ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, aktualisht vendi përballet me mangësi serioze në këtë sektor, sidomos në zonat jashtë vendbanimeve.

“Prandaj sot kemi një situatë me mangësi serioze në menaxhimin e mbeturinave, dhe kësisoj mendojmë se ky sektor duhet të jetë prioritet i qeverisë,” është shprehur ai.

Kurti ka bërë të ditur se është përgatitur projektligji për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa ka paralajmëruar edhe masa të reja emergjente.

“Kemi bërë gati projektligjin për menaxhimin e mbeturinave, por presim the…”, tha Kurti.

Ai ka njoftuar gjithashtu shpalljen e një pakete emergjente për këtë fushë, e cila synon pastrimin e deponive ilegale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

“Sot jemi këtu për të shpallur një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, aksionin kundër mbeturinave. Ky aksion ka për qëllim të arrij dy efekte: të intevetojë në vendet ku hedhja ilegale e mbeturinave rrezikon ambientin dhe shëndetin, por edhe të shtrojë një rrugë të re ku qeveria nuk rri më duarkryq, por është prijëse e organizimit”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, për realizimin e aksionit janë paraparë marrëveshje me kompanitë rajonale të mbeturinave dhe ndërmarrjet publike, disa prej të cilave tashmë janë nënshkruar.

“Që aksioni të rezultojë i suksesshëm janë paraparë 5 marrëveshje me kompanitë rajonale të mbeturinave dhe kompanitë e tjera publike disa prej të cilave janë nënshkruar”, ka theksuar ai.

Kurti ka bërë të ditur se për këtë iniciativë është paraparë një buxhet prej 1 milion eurosh, me synim largimin e deponive ilegale dhe forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve publike.

“Buxheti 1 milionë euro, parashihet largimi i 500 deponi ilegale të mbeturinave, në anën tjetër rritja e numrit të të punësuarve dhe rritja e kapaciteteve me theks te pajisjet te kompanitë publike që merren me menaxhimin e mbeturinave por edhe mirëmbajtjen e hapësirave publike të gjelbra”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se aksioni synon gjithashtu rritjen e përgjegjësisë për ndotjen në territor.

“Aksioni kundër mbeturinave, paketa ka për qëllim edhe vendosjen e përgjegjësisë për ndotjen”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/