Analisti i sigurisë, Drizan Shala, ka publikuar një analizë të gjatë mbi përfshirjen e Jovana Radosavljeviq në listën zgjedhore të Listës Serbe për zgjedhjet e 7 qershorit, duke e cilësuar këtë lëvizje si fundin e një “mbulese civile” që, sipas tij, ka funksionuar prej vitesh në veri të Kosovës.
Në shkrimin e tij, Shala argumenton se organizata “Nova društvena inicijativa” (New Social Initiative – NSI), e themeluar në Mitrovicën e Veriut, ishte prezantuar para bashkësisë ndërkombëtare si një zë qytetar dhe i pavarur i serbëve të Kosovës, por në praktikë kishte ndjekur vazhdimisht linjën politike të Beogradit.
Sipas tij, Jovana Radosavljeviq ishte ndërtuar si figurë me kredibilitet ndërkombëtar përmes bashkëpunimeve me organizata dhe institucione perëndimore, duke përfshirë USAID-in, Bankën Botërore, ambasada perëndimore dhe projekte të financuara nga BE-ja. Shala thotë se përmes NSI-së ajo kishte krijuar qasje në qarqe diplomatike dhe organizata ndërkombëtare, duke u paraqitur si alternativë ndaj Listës Serbe.

Ai vlerëson se NSI kishte prodhuar analiza, sondazhe dhe raporte profesionale që përdoroheshin nga ambasadat dhe institucionet ndërkombëtare për të kuptuar situatën në veri të Kosovës. Megjithatë, sipas Shalës, përmbajtja e këtyre publikimeve në çështjet kyçe politike, si ndalimi i dinarit serb, prania e Policisë së Kosovës në veri dhe dialogu Kosov-Serbi – kishte qenë vazhdimisht në përputhje me interesat dhe narrativën e Beogradit.
Në analizë thuhet se pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, ku Milan Radoiçiq u identifikua si organizator i sulmit ndaj Policisë së Kosovës, Beogradit i ishte nevojitur një “fytyrë e re” për audiencën perëndimore. Shala pretendon se në këtë periudhë NSI dhe figurat e saj publike morën rol më të madh në komunikimin me diplomatët dhe organizatat ndërkombëtare.
Ai përmend edhe ish-drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe ministrin aktual të Jashtëm, Marko Gjuriq, duke pretenduar se ai kishte qenë në pozitë kyçe për të ruajtur dhe zhvilluar këtë rrjet ndikimi gjatë periudhës pas Banjskës.
Shala pretendon gjithashtu se persona të afërt me NSI-në kanë pasur role në organizata ndërkombëtare dhe ambasada në Kosovë, duke ndikuar në mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar e percepton situatën në veri.
Sipas tij, kandidimi i Radosavljeviq në listën e Srpska Lista-s dëshmon se “mbulesa qytetare” nuk është më e nevojshme dhe se projekti po hyn në një fazë të re politike, tashmë publikisht i lidhur me strukturën politike serbe në Kosovë.
Në fund të analizës, Shala thotë se ndryshimi i vetëm është te personeli, ndërsa funksioni dhe narrativa politike mbeten të njëjta.





