Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës nuk sjell zgjidhje reale për shqiptarët e Luginës

Vendore

Ndryshimet e fundit në Ligjin për Shtetësinë e Kosovë janë prezantuar si lehtësim për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por në praktikë ato nuk sjellin ndryshime thelbësore për qytetarët e Luginës. Heqja e testit për njohjen e gjuhës shqipe apo serbe është më shumë një ndryshim simbolik sesa një zgjidhje konkrete për problemet reale […]

Madhësia e shkronjave

Ndryshimet e fundit në Ligjin për Shtetësinë e Kosovë janë prezantuar si lehtësim për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por në praktikë ato nuk sjellin ndryshime thelbësore për qytetarët e Luginës.

Heqja e testit për njohjen e gjuhës shqipe apo serbe është më shumë një ndryshim simbolik sesa një zgjidhje konkrete për problemet reale me të cilat përballen qytetarët gjatë procedurës së marrjes së shtetësisë së Kosovës.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet i njëjtë: procedurat tepër të gjata dhe kushtet administrative që kërkojnë vite të tëra pritjeje. Për të fituar shtetësinë, një qytetar nga Lugina fillimisht duhet të sigurojë lejeqëndrim të përhershëm në Kosovë, proces që në shumicën e rasteve kërkon aplikime të vazhdueshme për pesë vite radhazi në institucionet e MPB-së. Vetëm pas kësaj periudhe hapet mundësia për aplikim për shtetësi, që nënkupton edhe vite të tjera pritjeje.

Në praktikë, kjo procedurë mund të zgjasë nga tetë deri në dhjetë vite, ndërkohë që mijëra shqiptarë nga Lugina jetojnë dhe veprojnë në Kosovë prej më shumë se dy dekadash pa status të rregulluar juridikisht.

Për më tepër, një numër i madh qytetarësh përballen me vështirësi serioze në sigurimin e dokumenteve nga Serbia, veçanërisht ata që janë prekur nga pasivizimi i adresave. Pikërisht këto dokumente kërkohen nga institucionet e Kosovës gjatë procedurave administrative, duke e bërë procesin edhe më të ndërlikuar dhe shpesh të paarritshëm.

Në vend të lehtësimeve reale, ligji i ri ka ruajtur pothuajse të njëjtat barriera burokratike që kanë ekzistuar prej vitesh. Për shumë qytetarë të Luginës, marrja e shtetësisë së Kosovës vazhdon të mbetet një proces i gjatë, i kushtueshëm dhe shpesh më i vështirë sesa marrja e dokumenteve të shteteve të Bashkimit Evropian.

Nëse Kosova e konsideron Luginën përgjegjësi kombëtare, atëherë nevojiten ndryshime më të thella ligjore dhe procedura të veçanta që realisht ua lehtësojnë qytetarëve qasjen në shtetësi, e jo vetëm ndryshime formale që kanë ndikim minimal në terren. /BujanociNet/