Me moshën, shtimi në peshë, ndryshimet hormonale dhe dobësimi i ligamenteve mund të ndikojnë që shputat të zgjaten, të zgjerohen dhe këpucët e dikurshme të mos ju përshtaten më
Keni bartur këpucë numër 39 që prej se mbani mend. Gjithmonë ju janë përshtatur në mënyrë të përkryer, por një ditë, pa ndonjë arsye të dukshme, ato thjesht nuk ju rrinë më si më parë.
Sado që përpiqeni, nuk arrini ta fusni këmbën aq lehtë në këpucën e madhësisë suaj të zakonshme. Megjithatë, kjo nuk është aq e pazakontë sa duket. Këmbët mund ta ndryshojnë madhësinë me kalimin e kohës, sepse vitet, në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund ta riformësojnë shputën.
Pse këpucët e vjetra bëhen të ngushta?

Së pari, mos u shqetësoni. Së dyti, është krejt e natyrshme që këmbët të ndryshojnë gradualisht në gjatësi dhe gjerësi me kalimin e viteve.
Me çdo hap që bëni, trupi juaj thith një peshë dy deri në tri herë më të madhe se pesha trupore, për shkak të forcës së gravitetit. Kjo lë gjurmë në këmbë, aq sa me kohë mund t’ua ndryshojë edhe formën.
“Ligamentet dhe tendinat që mbështesin harkun e shputës konsumohen nga përdorimi i vazhdueshëm. Kur kjo ndodh, harku fillon të ulet ngadalë, dhe kjo sheshtim bën që shputa të bëhet pak më e gjatë ose më e gjerë”, shpjegon podiatrja Dr. Nicole Nicolosi nga Cleveland Clinic, specialiste për kujdesin mjekësor, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të shputës dhe nyjës së këmbës, transmeton Telegrafi.
Si ndikon pesha në madhësinë e këmbëve?
Shumë njerëz shtojnë peshë me kalimin e moshës, ndërsa kilogramët e tepërt ushtrojnë trysni mbi ligamentet dhe tendinat që mbështesin shputën. Si pasojë, këmba mund të zgjerohet ose të zgjatet, thotë Dr. Nicolosi.
Shtimi në peshë mund ta ndryshojë edhe mënyrën e ecjes, duke krijuar trysni shtesë dhe forca që ndikojnë në ndryshimin e formës së shputës.
Ndryshimet në mënyrën se si trupi ruan yndyrën me kalimin e viteve mund të ndikojnë gjithashtu në pamjen dhe ndjesinë e këmbëve. Jastëkët yndyrorë që mbështjellin pjesën e poshtme të shputës hollohen me moshën, prandaj këpucët mund të ndihen ndryshe në këmbë.
Një tjetër “dhuratë” që mund të vijë me vitet janë edhe deformimet e shputës, si:
Gungat te gishti i madh. Një gungë që mund të formohet në anën e jashtme të gishtit të madh e bën më të pakëndshme futjen e këmbës në këpucë të ngushta. Në këto raste mund të nevojiten këpucë me pjesë më të gjerë për gishtërinjtë.
Gishtërinjtë në formë çekiçi. Kur nyja e gishtit përkulet lart në vend që të qëndrojë drejt, mund të shfaqen vështirësi me përshtatjen e këpucës. Këpucët me pjesë më të gjerë dhe më të thellë për gishtërinjtë mund ta ulin trysninë mbi nyje.
Kallo dhe trashje të lëkurës. Shpesh rekomandohen këpucë më të rehatshme dhe më të gjera për të lehtësuar parehatinë që shkaktojnë këto zona të forcuara të lëkurës.
Shoqata Amerikane e Geriatrisë raporton se një në tre persona mbi moshën 65 vjeç përjeton dhimbje në këmbë, ndërsa gungat te gishti i madh janë deformimi më i shpeshtë.
Gjatë shtatzënisë, niveli i hormonit relaksinë rritet ndjeshëm në trup. Ky hormon, siç tregon edhe emri i tij, i relakson dhe e rrit elasticitetin e ligamenteve, duke ndihmuar trupin të përgatitet për shtatzëninë dhe lindjen.
“Përfitimi kryesor i këtij hormoni lidhet me legenin dhe qafën e mitrës, por ai ndikon në gjithë trupin, përfshirë edhe këmbët. Relaksimi i ligamenteve në shputë i ul harqet e rëndësishme të saj dhe lejon që ato të sheshtohen. Rezultati janë këmbë më të gjata dhe më të gjera. Studimet tregojnë se ky ndryshim shpesh mund të jetë i përhershëm”, thotë Dr. Nicolosi.
“Mos mendoni se këmbët tuaja nuk do të ndryshojnë, sepse e dimë që ato mund të ndryshojnë dhe ndryshojnë”, kujton Dr. Nicolosi. /Telegrafi/




