Mustafa: Vetëvendosje e çoi Kosovën në zgjedhje duke refuzuar kompromisin për presidentin

Nacionale

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se përgjegjësia kryesore për dështimin e zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia më e madhe në Kuvend. Në “Përballje Podcast”, zyrtari i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se menjëherë pas zgjedhjeve ishte detyrë e kryeministrit Albin Kurti që të ndërtonte […]

Madhësia e shkronjave

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se përgjegjësia kryesore për dështimin e zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia më e madhe në Kuvend.

Në “Përballje Podcast”, zyrtari i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se menjëherë pas zgjedhjeve ishte detyrë e kryeministrit Albin Kurti që të ndërtonte konsensus politik për zgjedhjen e presidentit, duke pasur parasysh se asnjë parti nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta bërë këtë e vetme.

“Sapo u pa rezultati zgjedhor, rendi shtetëror e ka kërku që zoti Kurti si kryetar i partisë më të madhe me fillu me i kontaktu partitë tjera dhe me thanë: në mars kemi me zgjedh një president, përndryshe përfundojmë prapë në zgjedhje”, deklaroi Mustafa në “Përballje Podcast”.

Sipas tij, Kushtetuta kërkon minimumin prej 80 votave për zgjedhjen e presidentit, prandaj procesi ka kërkuar domosdoshmërisht marrëveshje ndërpartiake.

“Çelësi i zgjedhjes ose moszgjedhjes së Presidentit ka qenë dhe mbetet Vetëvendosje, sepse kishte më së shumti deputetë”, tha ai.

Mustafa deklaroi se Vetëvendosje kishte dalë e para në zgjedhje dhe kishte siguruar numrin më të madh të deputetëve, por jo votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin.

“Vetëvendosje i kishte pesëdhjetë e shtatë deputetë, pastaj me koalicionet shkoi në gjashtëdhjetë e gjashtë deputetë, por prapë mungonin vota për minimumin prej tetëdhjetë deputetëve”, u shpreh ai.

Ai shtoi se në atë moment është dashur të hapet diskutimi politik për vazhdimin e mandatit të Vjosa Osmanit ose për një kandidat tjetër konsensual.

“Është dashtë me u ulë e me folë: a po e votojmë edhe një herë Vjosën, a po shkojmë me dikë tjetër, a ka dikush ide më të mirë”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, LDK-ja kishte mbështetur idenë që presidenti të ishte figurë jopartiake dhe konsensuale, por tha se Vetëvendosje e prishi vetë këtë standard duke propozuar emra nga radhët e veta.

“Vetë standardin që e vendosën Vetëvendosja dhe zoti Kurti për një kandidat jopolitik, e thyen vetë brenda pak ditësh”, tha ai. Mustafa kritikoi edhe mungesën e dakordimit për kriteret që duhej t’i kishte presidenti i ardhshëm.

“Hajde po pajtohemi që po i bëjmë bashkë tetëdhjetë deputetë për një kandidat të përbashkët… po fatkeqësisht nuk arritëm në asnjë moment deri këtu”, deklaroi ai.

Sipas tij, LDK-ja kishte ofruar gatishmëri për marrëveshje politike dhe kishte siguruar unitetin e grupit parlamentar për një kandidat të përbashkët.

“Ne i kemi pesëmbëdhjetë nënshkrime të unifikuara për një kandidat që e sjell LDK-ja… i bëjmë thirrje Vetëvendosjes: ejani e bëjmë një kandidat të përbashkët”, u shpreh Mustafa.

Ai shtoi se mungesa e vullnetit për kompromis dhe insistimi në kandidatë partiakë bëri që procesi të dështojë dhe vendi të përfundojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme./Telegrafi/