Këngëtarja Judita Storga nga grupi kroat “Lelek”, përfaqësuesit e Kroacisë në Eurovision, ka zbuluar se po përballet me probleme shëndetësore vetëm një javë para paraqitjes në gjysmëfinalen e parë.
Ajo tregoi se në Vjenë po lufton me një infeksion streptokok, për shkak të të cilit ka mbetur pa zë.
Judita reagoi në TikTok, ku publikoi një video duke “hapur gojën” në sinkron me vargjet e këngës së tyre “Andromeda”, ndërsa në duar mbante kuti me barna.
“Eurovision është pas një jave, e unë jam pa zë”, shkroi ajo.
Në komente konfirmoi se po merr antibiotikë, por shtoi se tashmë ndihet shumë më mirë.
Mungesa e saj në disa postime të grupit jashtë provave kishte ngritur më herët dyshime se diçka nuk ishte në rregull.
Ajo mori shumë mesazhe mbështetjeje, përfshirë edhe nga përfaqësuesi i vitit të kaluar i Kroacisë, Marko Bosnjak.
Ndërkohë, Lelek ndodhet prej disa ditësh në Vjenë për provat teknike të edicionit të 70-të të Eurovisionit.
Një klip 20-sekondësh nga performanca e tyre mori reagime pozitive nga fansat.
Grupi ka kryer prova më 2 maj dhe 6 maj, ndërsa i pret edhe ceremonia hapëse si dhe provat gjenerale para gjysmëfinales së parë, ku Lelek do të performojë të martën, si i treti në renditje. /Telegrafi/






