“Man on Fire” ishte seriali më i shikuar në Netflix gjatë javës nga 27 prilli deri më 3 maj, edhe pse u shfaq premierë vetëm më 30 prill. Seriali arriti 11 milionë shikime në vetëm katër ditë.
Seriali me shtatë pjesë, i frymëzuar nga romani i vitit 1980 me të njëjtin emër “Man on Fire” nga AJ Quinnell, shpejt u gjend ndër 10 titujt televizivë më të shikuar në platformë.
Adaptimi i ri sjell një qasje të ndryshme ndaj historisë së njohur nga filmi i vitit 2004 me të njëjtin emër, në të cilin Denzel Washington luajti rolin kryesor. Këtë herë personazhi i John Creasy luhet nga Yahya Abdul-Mateen II, i njohur për rolin e tij në “Watchmen”.
Ngjarja ndjek ish-anëtarin e Forcave Speciale, John, i cili është i rraskapitur dhe përpiqet të përshtatet me jetën civile, ndërkohë që përballet edhe me çrregullimin e stresit post-traumatik pas një misioni që përfundoi në mënyrë katastrofike. Ai merr një detyrë të re nga ish-eprori i tij, i luajtur nga Bobby Cannavale, dhe puna e çon atë në Rio de Janeiro.
Xhoni është punësuar për të mbrojtur vajzën 16-vjeçare të një familjeje të pasur italiane, e luajtur nga Billie Boullet. Dakota Fanning luajti të njëjtin rol në filmin origjinal.
Gjatë një misioni në Brazil, ai përballet me të kaluarën e tij dhe nis një fushatë hakmarrjeje nëpër favelat e Rio de Janeiros, duke mbledhur një grup rebelësh në një thriller aksioni plot dhunë dhe skena intensive.
Seriali deri më tani ka marrë kryesisht vlerësime pozitive nga kritikët, veçanërisht për performancën e Abdul-Mateen në rolin kryesor. Aktualisht ka një vlerësim prej 62 përqind në Rotten Tomatoes, që është më shumë se 39 përqind që kishte filmi origjinal.
ScreenRant i dha serialit një vlerësim 10/10. Në vlerësim, ata shtuan se seriali i Netflix është vërtet diçka e veçantë dhe se është një titull që duhet ta shikojmë patjetër.
“Është e rrallë që një histori me një ton kaq brutal dhe të dhunshëm të ketë një mesazh kaq të sinqertë në thelbin e saj”, thanë ata.
Nga ana tjetër, Variety vlerësoi se seriali funksionon si një maratonë tipike e Netflix, me një kast dhe rrëfim të fortë, por gjithashtu vuri në dukje se nuk arrin kurrë nivelin e unikalitetit ose jashtëzakonshmërisë. /Telegrafi/






