Mesfushori holandez Frenkie de Jong ka pranuar në një intervistë se ka konsideruar largimin nga Barcelona, në momentin kur në adresë të tij kishin ardhur oferta nga Manchester United dhe Chelsea.
Ai tha se ideja për t’u larguar i ka kaluar në mendje. “Sigurisht që ndonjëherë të kalon në mendje: ‘Në rregull, çfarë duhet të bëj?’”, u shpreh De Jong.
Megjithatë, 27-vjeçari theksoi se në fund vendosi të qëndrojë, duke nënvizuar se nuk ka arsye të largohet përderisa ka rol të rëndësishëm dhe Barcelona është në nivelin që ai dëshiron.
“Përderisa jam mjaftueshëm i mirë për të qenë titullar këtu, për të pasur ndikim, dhe Barcelona është në nivelin ku dua të luaj, me ndjesinë se po garojnë për trofetë e mëdhenj, atëherë s’ka arsye të largohem”, deklaroi ai.
De Jong foli edhe për periudhën e rindërtimit te Barcelona pas largimeve të rëndësishme dhe afrimit të lojtarëve të rinj, duke theksuar se ekipit i është dashur kohë për t’u rritur. Ai shtoi se vazhdon të ndihet mirë në klub.
“E shijoj sinqerisht çdo ditë që vij këtu, sepse kjo është ajo që kam dashur gjithmonë: të luaj për Barcelonën”, theksoi holandezi.
Ai pranoi gjithashtu se zërat për kontratën dhe të ardhmen e tij kanë qenë të vazhdueshëm.
“Ndonjëherë në futboll njerëzit nuk i shohin gjërat në mënyrë objektive, edhe pa e kuptuar”, nënvizoi holandezi.
Pavarësisht spekulimeve, De Jong këmbëngul se është i përkushtuar të qëndrojë në “Camp Nou”, përderisa vazhdon të ketë rol kyç dhe Barcelona lufton për objektivat më të mëdhenj. /Telegrafi/






