Pasi kishte tentuar tashmë ta transferonte Curtis Jones në janar, tani raportohet nga Italia se Interi do të provojë sërish për mesfushorin e Liverpoolit, i cili mbetet i gatshëm për këtë lëvizje.
“Nerazzurrët” e kishin identifikuar Jonesin si zëvendësuesin ideal gjatë afatit kalimtar të janarit, kur reprezentuesi i Italisë, Davide Frattesi, dukej se ishte në rrugë për t’u transferuar te Nottingham Forest.
Marrëveshja e planifikuar parashihte një huazim me opsion blerjeje për rreth 40 milionë euro në fund të sezonit, por pa një marrëveshje paraprake për zgjatjen e kontratës së tij në “Anfield”, transferimi nuk mund të finalizohej.
Kontrata aktuale e 25-vjeçarit është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027 dhe situata ende nuk është zgjidhur.
Kjo do të thotë se tani Interi mund të paraqesë një ofertë për ta blerë atë menjëherë, me një shumë dukshëm më të ulët.
Sipas Sportitalia, Jones i ka dhënë “dritën jeshile” transferimit në “San Siro”, ndaj tani mbetet që klubet të arrijnë marrëveshje për kushtet.
Ndërkohë, Frattesi sërish duket se është pranë largimit, pasi ka hasur vështirësi për të siguruar minuta të rregullta nën drejtimin e Cristian Chivu, një vazhdimësi e problemeve që ai kishte edhe me trajnerin e mëparshëm, Simone Inzaghi.
Jones është produkt i akademisë së Liverpoolit dhe e ka kaluar të gjithë karrierën te “Të Kuqtë”. Këtë sezon ai ka kontribuar me dy gola dhe tri asistime në 45 paraqitje në të gjitha garat./Telegrafi/






