Aleanca ushtarake Tiranë, Prishtinë e Zagreb – Vuçiç vazhdon me paranoja dhe njofton blerje të reja armësh

Bota

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake. “Si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Serbe, sot kam propozuar zhvillimin dhe miratimin e […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.

“Si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Serbe, sot kam propozuar zhvillimin dhe miratimin e një strategjie robotizimi, formimin e një njësie në nivel batalioni të pajisur me platforma të robotizuara, kryerjen e përgatitjeve organizative për formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë veprimi dhe municioneve mobile, trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për kontrollin e zjarrit të artilerisë dhe aviacionit, pajisjen dhe trajnimin e mëtejshëm për përdorimin e dronëve në njësi të tjera”, tha presidenti serb, transmeton Telegrafi.

“U kërkova oficerëve të marrin pjesë me entuziazëm të madh dhe një angazhim edhe më të madh në këtë periudhë revolucionare ndryshimi në ushtrinë tonë në digjitalizimin dhe robotizimin e ushtrisë sonë, përdorimin e raketave më të fuqishme dhe moderne”, shtoi ai.

Sipas tij, “situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë këtë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë dhe të fuqishëm”.

“Në ditët në vijim, ne do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim që të bëjmë porosi të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën e ardhshme, do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka që kemi folur sot. Do të vazhdojmë të zhvillohemi më tej në të gjitha fushat. Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me ndërveprimin më të theksuar dhe aftësitë më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë”, theksoi për fund Vuçiq. /Telegrafi/