Eliminimi i Barcelonës nga Liga e Kampionëve kundër Atletico Madridit ka vazhduar të shkaktojë polemika të mëdha, me debatet që janë përqendruar kryesisht te vendimet e gjyqtarit dhe ndërhyrjet e VAR-it.
Sfida e kthimit në ‘Metropolitano Stadium’ përfundoi me fitoren 2-1 të Barcelonës, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur humbjen 2-0 në ndeshjen e parë, duke bërë që katalanasit të eliminohen me rezultat të përgjithshëm 3-2.
Megjithatë, përtej rezultatit, vëmendja u zhvendos te disa episode të diskutueshme që ndikuan në rrjedhën e dy takimeve.
Një nga momentet më të komentuara ishte ndërhyrja mes portierit të Atleticos, Juan Musso, dhe mesfushorit të Barcelonës, Fermin Lopez. Në atë aksion, Fermin tentoi të godiste topin duke u hedhur me tërë trupin dhe gjatë rënies u përplas me takën e Mussos.
Pavarësisht protestave të lojtarëve katalanas, gjyqtarët vendosën se nuk kishte shkelje, duke argumentuar se këmba e portierit nuk ishte në një pozicion të panatyrshëm.
Sipas faqes Archivo VAR e cila merret me vendimet e diskutueshme të gjyqtarëve gjatë një ndeshjeje, ky rast nuk ishte penallti dhe gjyqtari Clement Turpin ka marrë vendimin e duhur.
A është e ndëshkueshme ndërhyrja mes Musso dhe Fermin? JO. Fermin godet topin me zhytje dhe, gjatë rënies, përplaset me takën e Mussos, e cila nuk ndodhej në një lartësi të panatyrshme”.
“Bëhet fjalë për një moment loje normal dhe, për këtë arsye, VAR-i vendosi të mos ndërhyjë”, thuhej në shpjegimin e faqes./Telegrafi/






