Cameron për aleatin e Vuçiqit: Diçka shumë më e madhe mund të shembet me rënien e Orban

Nacionale

Gazetari i BBC, Rob Cameron, ka paralajmëruar se një rënie e mundshme e kryeministrit hungarez Viktor Orban nuk do të kishte pasoja vetëm për Hungarinë, por për një rrjet më të gjerë politik në Evropën Qendrore. Sondazhet më të fundit tregojnë se kundërshtari i Orban, Peter Magyar ka një avantazh prej 10–15 pikësh, ndërsa disa […]

Madhësia e shkronjave

Gazetari i BBC, Rob Cameron, ka paralajmëruar se një rënie e mundshme e kryeministrit hungarez Viktor Orban nuk do të kishte pasoja vetëm për Hungarinë, por për një rrjet më të gjerë politik në Evropën Qendrore.

Sondazhet më të fundit tregojnë se kundërshtari i Orban, Peter Magyar ka një avantazh prej 10–15 pikësh, ndërsa disa matje e çojnë diferencën deri në 20 pikë.

“Shumë mendojnë se ky është fundi i 16 viteve të Orban në pushtet”, ka shkruar Cameron në analizën e tij, për të vazhduar me atë se “shenjat e dëshpërimit janë të dukshme”.

Në analizën e tij, Cameron ka nënvizuar se ndikimi i Orban ka ndërtuar ndër vite një rrjet politik dhe ideologjik në Evropën Qendrore, duke përfshirë liderë si Robert Fico në Sllovaki dhe Andrej Babish në Çeki, liderë dhe lëvizje politike që ndajnë qasje më skeptike ndaj Bashkimit Evropian dhe politika më konservatore.

“Nëse Orban bie, diçka shumë më e madhe mund të shembet me të,” thekson Cameron, duke iu referuar këtij rrjeti ndikimi që shtrihet përtej kufijve kombëtarë, e që menjëherë e con vëmendjen edhe tek Ballkani, gjegjësisht Serbia.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Cameron theksoi se bëhet fjalë për një rrjet ndikimi të ndërtuar ndër vite në nivel evropian. Në këtë drejtim, një figurë që mund të preket në rast të humbjes së kryeministrit hungarez, është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili mban marrëdhënie të afërta politike me Orban. Të dy liderët kanë bashkëpunuar në çështje rajonale dhe kanë ndarë qëndrime të ngjashme në raport me politikat e BE-së dhe zhvillimet gjeopolitike.

Po ashtu, Orban njihet edhe për raportet e tij me presidentin rus Vladimir Putin, çka e vendos atë në një pozicion të veçantë brenda politikës evropiane.Ekspertët e cituar në shkrim paralajmërojnë se rajoni mund të përballet me një “lavjerrës politik”, ku qeveritë alternohen midis forcave pro-evropiane dhe atyre më populiste ose euroskeptike.

Analiza thekson se Orbán nuk ka qenë vetëm figurë kombëtare, por edhe një mbështetës politik dhe financiar i rrjeteve konservatore dhe populiste në rajon dhe më gjerë.

Sipas studiuesve të cituar, një humbje e tij do të dobësonte ndjeshëm këtë rrjet politik, duke ndikuar edhe në balancat brenda Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst rajonal, një nga elementet kyçe është edhe ndikimi në politikën e Serbisë.

Orban konsiderohet prej vitesh si një nga aleatët më të afërt të presidentit serb Aleksandar Vuçiq brenda Bashkimit Evropian, duke mbështetur shpesh qëndrimet e Beogradit në çështjet rajonale dhe në raport me Kosovën.

Sipas analizës, një dobësim ose largim i Orbánit nga pushteti do të ishte një goditje direkte për pozicionin diplomatik të Vuçiqit në Bruksel, duke i hequr atij një prej zërave më të fortë mbështetës brenda BE-së.

Gazetari Rob Cameron thekson se zgjedhjet në Hungari nuk janë vetëm një garë e brendshme politike, por një moment me ndikim të gjerë në gjithë Evropën Qendrore dhe Ballkan.

Sipas tij, një ndryshim në Budapest mund të riformësojë ekuilibrat politikë në rajon, duke prekur drejtpërdrejt rrjetin e aleancave që kanë mbështetur prej vitesh politikat e Viktor Orbánit dhe partnerëve të tij, përfshirë edhe Beogradin./KP.