Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar ashpër lidhur me situatën në sektorin e naftës në Shqipëri, duke denoncuar atë që e cilëson si keqmenaxhim dhe abuzim nga institucionet shtetërore.
Sipas tij, në zonën e Mallakastrës, nafta po derdhet “si lum”, ndërkohë që qytetarët shqiptarë përballen me çmime të larta të karburantit. Lapaj akuzon drejtpërdrejt shtetin dhe kompaninë Albpetrol për mungesë kontrolli dhe përgjegjësie.
“Nafta lum! Nafta lum, vëlla. Nafta lum këtej nga Mallakastra. Keqmenaxhimi dhe hajdutëria e shtetit shqiptar dhe e Albpetrolit ka bërë që sot ne të paguajmë një nga çmimet më të larta në botë të naftës, ndërkohë që nafta e vendit tonë derdhet në përrenj dhe lumenj si ‘mall pa zot’”, është shprehur ai.

Në reagimin e tij, Lapaj rikujtoi edhe premtimet e bëra në vitin 2013 nga kryeministri Edi Rama për ringritjen e industrisë përpunuese të naftës. Ai kritikoi qeverinë për dështim në këtë drejtim, duke përmendur gjendjen aktuale të Rafinerisë së Ballshit, e cila sipas tij është jashtë funksionit.
“Edi Rama dhe Rilindja erdhën në pushtet me premtimin për të ringritur industrinë përpunuese të naftës. Sot, ajo rafineri që dikur përpunonte rreth 1 milion ton naftë bruto është jashtë funksionit”, tha Lapaj.
Ai propozoi si zgjidhje të menjëhershme uljen e taksave mbi karburantet, duke argumentuar se në kohë krizash qeveria nuk duhet të rëndojë më tej qytetarët.
“Për të ulur çmimin e naftës, duhet urgjentisht që shteti të ulë nivelin e taksimit, sepse qeveria nuk mund të fitojë më shumë në kohë krizash”, theksoi ai.
Sipas Lapajt, zgjidhja afatgjatë mbetet ringritja e industrisë përpunuese të naftës në vend, për të ulur varësinë nga importet dhe për të stabilizuar çmimet në treg.





