Afate, paralajmërime dhe kërcënime – kronologjia e deklaratave të Trumpit për Iranin

Gjatë fundjavës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi një afat të ri për Iran që të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë përfundimin e luftës. Ai paralajmëroi se, nëse Teherani nuk vepron brenda këtij afati, vendi do të përballet me pasoja shumë të rënda, duke thënë se do të “jetojë në Ferr”. Pak më […]

Bota

Gjatë fundjavës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi një afat të ri për Iran që të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë përfundimin e luftës.

Ai paralajmëroi se, nëse Teherani nuk vepron brenda këtij afati, vendi do të përballet me pasoja shumë të rënda, duke thënë se do të “jetojë në Ferr”.

Pak më herët, Trump shtoi tonet, duke deklaruar se “një civilizim i tërë mund të zhduket sonte, pa mundësi rikthimi”, në prag të afatit të tij për arritjen e një marrëveshjeje, i cili përfundon në orën 20:00 (02:00 sipas kohës lokale në Kosovë).

CNN ka përmbledhur deklaratat dhe kërcënimet e liderit amerikan ndaj Iranit që nga momenti kur ai i vendosi për herë të parë një afat për t’i dhënë fund luftës.

Kërcënimi fillestar i Donald Trump erdhi më 21 mars, kur ai tha se SHBA-ja do të “godiste dhe shkatërronte plotësisht” centralet energjetike të Iran nëse Teherani nuk do ta rihapte Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh. Të nesërmen, përfaqësuesi i Iranit në agjencinë detare të OKB-së deklaroi se ngushtica mbetej e hapur për të gjithë, përveç “armiqve” të Iranit.

Më 23 mars, pak para se të skadonte afati i vendosur nga Trump, presidenti tha se SHBA-ja dhe Irani kishin zhvilluar “bisedime produktive” gjatë dy ditëve të mëparshme dhe se ai do të shtynte goditjen ndaj objekteve energjetike për pesë ditë.

Më 26 mars, Trump shtoi edhe dhjetë ditë të tjera afatit, duke thënë se Irani kishte kërkuar më shumë kohë, duke e çuar kështu datën e re përfundimtare në dje, më 6 prill.

Më 30 mars, Trump deklaroi se SHBA-ja do ta përfundonte luftën në rajon duke “hedhur në erë dhe shkatërruar plotësisht” centralet energjetike dhe puset e naftës në Iran, nëse vendi nuk do të pranonte një marrëveshje.

Më 1 prill, Trump tha se Irani i kishte kërkuar SHBA-së një armëpushim, duke shtuar se ai do ta merrte në konsideratë këtë vetëm pasi Irani të rihapte Ngushticën e Hormuzit. Deri atëherë, ai shtoi se “po e shkatërrojmë Iranin deri në zhdukje” dhe “po e kthejmë në Epokën e Gurit!!!”. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit e mohoi pretendimin e Trump se vendi kishte kërkuar armëpushim.

Më 4 prill, Trump u tha liderëve iranianë se “koha po mbaron” për të rihapur këtë rrugë ujore. “E mbani mend kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të bërë një marrëveshje ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Koha po mbaron – 48 orë para se ferri të bjerë mbi ta”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Të nesërmen, më 5 prill, presidenti i kërkoi Iranit “Hapeni dreqin atë ngushticë, ju të çmendur, përndryshe do të jetoni në Ferr – VETËM PRITNI!”. Trump shtoi gjithashtu se “e marta do të jetë Dita e Centraleve dhe Dita e Urave, të gjitha në një, në Iran. Nuk do të ketë asgjë si kjo!!!”.

Dje, më 6 prill, Trump tha se kishte edhe opsione “më të këqija” sesa kërcënimet e tij të mëparshme për të bombarduar centralet energjetike dhe urat e Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje. Ai shtoi gjithashtu se “i gjithë vendi mund të zhduket brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër”. /Telegrafi/