WhatsApp ka filluar testimin e një funksioni të ri që eliminon zhurmën e sfondit gjatë thirrjeve zanore dhe videove.
Kjo risi synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e komunikimit, sidomos në ambiente të zhurmshme.
Versioni më i fundit beta i aplikacionit për Android tashmë përfshin këtë opsion të integruar për anulimin e zhurmës.

Funksioni është projektuar për të filtruar automatikisht zhurmat e padëshiruara, si trafiku, era apo zhurma në vende publike. Sistemi punon në kohë reale duke identifikuar dhe reduktuar këto tinguj, ndërsa ruan qartësinë e zërit të folësit. Kjo e bën bisedën më natyrale dhe më të kuptueshme, veçanërisht për përdoruesit që flasin shpesh në lëvizje.
Sipas testimeve, funksioni aktivizohet automatikisht kur nis një thirrje, por përdoruesit mund ta çaktivizojnë lehtësisht nga menyja e thirrjeve nëse dëshirojnë.
Një detaj i rëndësishëm është se ky opsion përmirëson zërin që dëgjon pala tjetër – pra, pastron zhurmën nga mikrofoni juaj para se të dërgohet te bashkëbiseduesi. Që të dy përdoruesit të kenë përvojë optimale, të dy duhet ta kenë të aktivizuar këtë funksion.
Aktualisht, kjo veçori është në fazën beta dhe është e disponueshme vetëm për një numër të kufizuar përdoruesish. Megjithatë, pritet që në javët në vijim të shpërndahet më gjerësisht për të gjithë përdoruesit e aplikacionit. /Telegrafi/





