Haradinaj refuzoi të takohet me Abdixhikun, Lushaku: Ky qëndrim pengon dialogun ndërpartiak

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka komentuar refuzimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për një takim me kryetarin e LDK‑së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për dialog politik dhe zgjidhje të situatës për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas Lushakut, kërkesa […]

Nacionale

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka komentuar refuzimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për një takim me kryetarin e LDK‑së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për dialog politik dhe zgjidhje të situatës për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Lushakut, kërkesa e Abdixhikut ka qenë një akt i zakonshëm i komunikimit politik dhe institucional, në funksion të dialogut dhe bashkëpunimit të nevojshëm në rrethanat aktuale.

“Fatkeqësisht, në vend të një qasjeje që do të kontribuonte në frymën e bashkëpunimit, kemi parë interpretime që nuk i shërbejnë dialogut të domosdoshëm ndërpartiak,” ka thënë Lushaku.

Ajo ka shtuar se në momentet e rëndësishme për vendin, “komunikimi politik duhet të karakterizohet nga maturia, respekti reciprok dhe përgjegjësia publike.”

Refuzimi i takimit nga Haradinaj erdhi pasi ai u shpreh se nuk e sheh të arsyeshëm një takim me Abdixhikun për të diskutuar rreth asaj që ky i fundit ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti.

“Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin… s’është pjesë e imja,” tha Haradinaj, duke vënë në dukje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj nismës.

Kjo zhvillim ndodh në një kohë kur partitë politike janë duke u angazhuar në takime për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri. /Telegrafi/