Momenti kur Donnarummas iu vodh letra me instruksione se ku godasin penalltitë lojtarët boshnjakë

Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, reagoi me nervozizëm të madh pas humbjes dramatike ndaj Bosnja dhe Hercegovina në ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës, ndërsa tani është zbuluar edhe arsyeja e vërtetë e shpërthimit të tij. “Azzurrët” arritën të rezistonin me 10 lojtarë dhe ta çonin ndeshjen në penallti pas barazimit 1-1 në Bilino Polje. […]

Sport

Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, reagoi me nervozizëm të madh pas humbjes dramatike ndaj Bosnja dhe Hercegovina në ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës, ndërsa tani është zbuluar edhe arsyeja e vërtetë e shpërthimit të tij.

“Azzurrët” arritën të rezistonin me 10 lojtarë dhe ta çonin ndeshjen në penallti pas barazimit 1-1 në Bilino Polje.

Megjithatë, ndryshe nga zakonisht, Donnarumma nuk arriti të ndikojë në asnjë nga goditjet e kundërshtarëve – diçka e pazakontë për heroin e finales së Euro 2020.

Pas ndeshjes, ai u pa duke i bërtitur portierit të Bosnjës, Nikola Vasilj, duke e akuzuar për vjedhjen e një flete me shënime të rëndësishme për penalltitë – një listë që zakonisht përmban informacion mbi mënyrën e gjuajtjes së lojtarëve kundërshtarë.

Megjithatë, më vonë doli në pah se Vasilj nuk kishte asnjë lidhje me incidentin. Fleta ishte marrë nga një djalë 14-vjeçar, Afan Cizmic, lojtar i të rinjve të klubit Çelik Zenica.

Në një prononcim për mediat lokale, ai pranoi veprimin, duke e mbajtur letrën në xhep, që më pas e prezantoi.

“Pashë diçka pranë peshqirit dhe e kuptova menjëherë se çfarë ishte. E mora dhe e fsheha. Aty ishin të gjitha informacionet për lojtarët tanë. Pa atë listë, Donnarumma duhej të vepronte vetëm me instinkt”, deklaroi i riu.

Ky episod duket se ka ndikuar në performancën e portierit italian gjatë penalltive, ku ai nuk arriti të ndalë asnjë goditje.

Ndërkohë, edhe pse veprimi i djalit mund të konsiderohet josportiv, një pjesë e tifozëve boshnjakë kanë reaguar ndryshe, duke kërkuar që ai të shpërblehet – madje duke propozuar që të jetë maskotë e ekipit në Kupën e Botës. /Telegrafi/