Policia e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar për bllokimin apo ndalimin e qarkullimit të qytetarëve në pikat kufitare Novosellë–Breznicë dhe Stublinë–Dobrosin.
Këtë e kanë konfirmuar burime zyrtare për Bujanoci.Net, të cilat theksojnë se nuk ekziston ndonjë urdhër institucional që ndalon frekuentimin e këtyre pikave nga qytetarët.
Sipas të njëjtave burime, Policia është informuar nga qytetarët për raste të ndalesave në terren, veçanërisht në zonën e Dobrosinit. Megjithatë, dyshohet se këto veprime janë ndërmarrë në mënyrë individuale nga disa zyrtarë policorë lokalë, pa mbështetje në vendime zyrtare.

Burimet bëjnë të ditur se këto raste tashmë janë duke u shqyrtuar nga strukturat komanduese, për të verifikuar nëse ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e zyrtarëve në terren.
Ndërkohë, autoritetet rikujtojnë se qytetarët mund të lëvizin lirshëm dhe të përdorin të gjitha pikat kufitare, por rekomandohet që kalimet të realizohen përmes vendkalimeve zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontrollin kufitar.
Po ashtu, Policia e Kosovës kanë dënuar dezinformatat e përhapura në disa media lokale të Luginës, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe që krijojnë konfuzion te qytetarët.
Njëkohësisht, u bëhet thirrje partive politike lokale në Bujanoc dhe Preshevë, që të përmbahen nga deklaratat e pabazuara dhe të mos politizojnë situatën pa pasur një urdhër apo vendim zyrtar nga institucionet përkatëse./BujanociNet/




