Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, ortopedi, Qerim Kida ka thënë se osteoporoza dhe osteopenia po shfaqen gjithnjë e më shpesh tek popullata, veçanërisht pas moshës 50 vjeçare, duke u kthyer në një problem serioz shëndetësor.
Ai nënvizon se mungesa e një sistemi të mirëfilltë statistikor në Kosovë e vështirëson vlerësimin e saktë të përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Sipas tij, megjithatë bazuar në të dhënat ndërkombëtare, shifrat janë shqetësuese.

“Sipas statistikave, çdo i treti person tek femrat mbi moshën 50 vjeçare preket nga osteopenia ose osteoporoza, ndërsa çdo i pesti tek meshkujt”, tha Kida .
Ortopedi tha se në praktikën e përditshme, kjo përqindje duket edhe më e lartë.
“Pothuajse çdo person mbi moshën 50 vjeçare që vizitohet është i prekur nga osteopenia”, u shpreh ai .
Siç tha ai osteopenia është faza fillestare e dobësimit të kockave, ndërsa osteoporoza përfaqëson stadin më të avancuar, ku rreziku për thyerje rritet ndjeshëm.
“Osteoporoza është burim i shumë problemeve, nga dhimbjet e paspecifikuara deri tek thyerjet e rënda”, theksoi ortopedi.
Ai paralajmëron se trajtimi i këtyre rasteve është kompleks, pasi kapaciteti i rigjenerimit të kockave është i kufizuar.
“Potenciali rigjenerues i kockave është shumë i ulët, prandaj edhe shërimi është më i vështirë”, shtoi Kida.
Megjithatë, sipas tij, në shumicën e rasteve kjo gjendje mund të parandalohet përmes një stili jetese të shëndetshëm.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





