Një fitore minimale do të gëzonte tërë Kosovën, kështu ka deklaruar ish futbollisti i Lirisë Blendi Memaj për Telegrafin.
Memaj ka udhëtuar me tifozët e Kosovës për ta mbështetur kombëtaren para kësaj përballje jetike, të vlefshme për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës.
Në një intervistë për Telegrafin, ai deklaroi se është i lumtur që është në mesin e tifozëve, kurse i sigurt se të gjithë yjet e Kosovës e dinë rëndësinë e kësaj sfide.

“Me të vërtetë qysh po e shohim është një atmosferë e jashtëzakonshme, është një ndjenjë e mirë dhe krenari me qenë pjesë e kësaj tifozërie ndonëse kontributi ynë në krahasim me ata (lojtarët) është pak më i zbehët, por prapë së prapë ndihem mirë edhe shumë krenar që sot pata mundësinë të jem pjesë e këtij ballafaqimi historik”.
“Në bazë të asaj që jemi informuar dhe kemi qenë mjaftë aktiv duke e përcjellë për shkak të rëndësisë së madhe që e ka, e shoh se është një disponim i jashtëzakonshëm edhe një motivim shumë i madh i të gjithë futbollistëve për shkak se edhe ata janë të vetëdijshëm se përmes këtyre ndeshjeve do të bëhen pjesë e historisë në njëfarë forme edhe normalisht janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi. Do t’i qasën maksimalisht mirë dhe do të tentojnë përmes profesionalizmit të nxjerrim rezultat pozitiv për shkak se asgjë tjetër nuk do të ishte e favorshme përpos rezultat pozitiv, fitores”.
I pyetur për rezultatin përfundimtar, Memaj shtoi se edhe një fitore minimale do të ishte e mjaftueshme për t’i gëzuar të gjithë “Dardanët”.
“Po unë thashë edhe më herët se edhe një fitore minimale, me gjysmë gole, veç me kalu topi rrjetën… mendoj një fitore minimale e Kosovës do të na gëzonte shumë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 20:45.
Ekipi i Telegrafit ndodhet në Bratislavë, me gazetarët Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri, si dhe kameramanin Korab Basha.
Udhëtimi i ekipit është mundësuar nga 99esim, Globi M.I, DFK Group dhe Lasko./Telegrafi/





