Manchester United ka intensifikuar kërkimet për një mesfushor të ri, teksa largimi i mundshëm i Casemiro në fund të sezonit po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.
Në krye të listës së dëshirave është Bruno Guimaraes i Newcastle United. Drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” kanë zhvilluar tashmë kontakte me përfaqësuesit e brazilianit për të parë mundësinë e transferimit gjatë verës.
Guimaraes konsiderohet profili ideal për rindërtimin e mesfushës, falë forcës fizike, kontrollit të lojës dhe eksperiencës në Ligën Premier.

Një klauzolë lirimi prej rreth 70 milionë eurosh besohet se mund të jetë e mjaftueshme për ta bindur Newcastlen, sidomos nëse klubi anglez dështon të sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane.
Përveç Guimarães, Man United po mban në vëzhgim edhe Sandro Tonali, i cili mund të kërkojë një hap të ri në karrierë nëse situata te Newcastle nuk përmirësohet.
Gjithashtu, në listën e alternativave përfshihet edhe Elliott Anderson, i cili po tërheq vëmendje me paraqitjet e tij.
“Djajtë e Kuq” synojnë të sigurojnë një lider të ri në mesfushë, që do të mbushte boshllëkun e lënë nga Casemiro dhe do t’i jepte stabilitet skuadrës për sezonet në vazhdim. /Telegrafi/





