Barcelona po planifikon ndryshime në repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm, ku një nga vendimet kryesore lidhet me të ardhmen e Ferran Torres dhe Robert Lewandowski.
Sipas raportimeve nga mediat katalanase, Barcelona është e gatshme të dëgjojë oferta për Ferran Torres gjatë verës.

Sulmuesi spanjoll po kalon një formë jo të mirë, pasi ka mbetur pa gol në 11 ndeshjet e fundit dhe ka humbur vendin e titullarit, i zëvendësuar pikërisht nga Lewandowski.
Kontrata e Torres me klubin skadon në vitin 2027, çka e shtyn Barcelonën të mendojë për shitjen e tij këtë verë, në mënyrë që të mos rrezikojë ta humbasë më vonë me një vlerë më të ulët. Interes për të pritet të ketë nga disa klube evropiane nëse katalanasit hapin derën për largimin e tij.
Në anën tjetër, situata e Robert Lewandowski duket më e qartë. Sulmuesi polak, pavarësisht moshës 37-vjeçare, mbetet pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe është i hapur për të vazhduar qëndrimin në “Camp Nou”, nëse klubi vendos t’i ofrojë vazhdimësinë.
Edhe presidenti Joan Laporta ka lënë të kuptohet më herët se dëshiron që Lewandowski të mbetet në skuadër, ndërsa për Torres nuk ka pasur deklarata të ngjashme – një sinjal i qartë për drejtimin që pritet të marrë Barcelona këtë verë. /Telegrafi/





