Grupi serb i hakerëve pretendon se ka sulmuar FinInfo dhe një institucion shëndetësor në Kroaci, shkruan Telegrafi.
Një grup hakerësh nga Serbia ka pretenduar se ka sulmuar platformën kroate FinInfo.hr, si dhe një institucion të paidentifikuar shëndetësor, duke publikuar mijëra të dhëna në një forum në “dark web”.
Specialisti kroat i sigurisë kibernetike, Leon Juraniq, bashkëthemelues dhe drejtor teknik i kompanisë ThreatLeap, ka bërë të ditur se sistemi i kompanisë së tij ka zbuluar dy publikime të grupit serb të hakerëve INF Group, raporton Index.hr
Sipas Juraniq, grupi pretendon se ka depërtuar në sistemin e FinInfo.hr dhe ka publikuar rreth 34 mijë të dhëna nga baza e saj.
Në një publikim tjetër, hakerët pretendojnë se kanë sulmuar edhe një institucion shëndetësor, emri i të cilit nuk është bërë publik. Ata pretendojnë se kanë siguruar rreth 9 mijë të dhëna, mes të cilave informacione të ndjeshme, përfshirë diagnoza dhe të dhëna të pacientëve.
INF Group, për të cilin raportohet se vepron nga Serbia, kishte marrë së fundmi përgjegjësinë edhe për një tjetër incident kibernetik, ku u publikua një bazë me të dhëna të qytetarëve kroatë. Grupi kishte pretenduar se të dhënat vinin nga sistemi kroat i drejtësisë, duke paralajmëruar se ky ishte “vetëm fillimi”.
Ndërkohë, Instituti Kroat i Sigurimeve Pensionale (HZMO) kishte njoftuar se kishte eliminuar një incident të sigurisë kibernetike në aplikacionin HZMO Live – Kontakt centar dhe kishte rikthyer komunikimin e sigurt me përdoruesit.
Hakerët kishin pretenduar se posedonin të dhëna si emra, mbiemra, numra personalë identifikimi (OIB), numra telefoni dhe adresa elektronike./Telegrafi/.






