Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka shpallur listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e muajit mars në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027. Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu ka bërë përzgjedhjen e tij duke u bazuar në formën aktuale të lojtarëve, me synimin për të arritur rezultate pozitive në dy përballjet e rëndësishme që e presin skuadrën.
“Dardanët” U21 fillimisht do të përballen me Rumaninë më 27 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku pritet një mbështetje e madhe nga tifozët vendas. Kjo ndeshje konsiderohet mjaft e rëndësishme për ecurinë e Kosovës në Grupin A, pasi një rezultat pozitiv do të rriste ndjeshëm gjasat për një renditje më të mirë në tabelë.

Pas kësaj sfide, Kosova U21 do të udhëtojë për t’u përballur me Spanjën më 31 mars, në një ndeshje të vështirë si mysafirë ndaj njërit prej kundërshtarëve më të fortë në grup.
Stafi teknik dhe lojtarët janë të vetëdijshëm për sfidën që i pret, por mbeten të motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare.
Në këtë listë, përzgjedhësi Kryeziu ka ftuar shumë futbollistë nga futbolli i Kosovës, ku spikatin emrat nga Superliga si Altin Gjokaj, Fuad Ajvazi, Luan Lleshi, Arjol Bllaca, Dren Zeqiri, Dardan Morina, Arianit Hasani, Erion Sadriu, Laurent Xhylani, Elvir Gashijani, Igball Jashari dhe Hekuran Berisha. /Telegrafi/





