Një seri dronësh “të paidentifikuar” janë parë duke fluturuar mbi bazën ushtarake në Uashington ku jetojnë Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, duke bërë që qeveria amerikane të marrë në konsideratë zhvendosjen e tyre.
Ushtria po monitoron nga afër kërcënimet e mundshme ndaj figurave të larta qeveritare në mes të luftës së administratës Trump kundër Iranit, por sipas një raporti të Washington Post, origjina e dronëve që kanë shkelur hapësirën ajrore mbi Fort Lesley J. McNair mbetet një mister.
Incidentet vijnë në një moment alarmi të shtuar, ndërsa SHBA-të dhe Izraeli vazhdojnë të sulmojnë Iranin, shkruan the Independent.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit u ka urdhëruar të gjitha posteve diplomatike amerikane në të gjithë botën të kryejnë vlerësime të menjëhershme të sigurisë, duke përmendur “situatën e vazhdueshme dhe në zhvillim në Lindjen e Mesme dhe potencialin për efekte anësore”, sipas raportit të The Post.
Prania e dronëve mbi Fort McNair ishte aq serioze sa zyrtarët kanë diskutuar zhvendosjen e Rubios dhe Hegseth.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i administratës tha se sekretarët nuk janë zhvendosur ende.
Vendbanimi i tyre në bazë – i pazakontë për udhëheqësit politikë – u raportua publikisht tetorin e kaluar .
Fort McNair është shtëpia e Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe disa prej oficerëve më të lartë të Pentagonit.
Vendndodhja e saj pranë Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë e bën atë gjeografikisht të përshtatshme, por nuk ka një zonë sigurie aq të fortë sa bazat e tjera përreth Uashingtonit. /Telegrafi/





