Mbesa e Benito Mussolinit dhe e Sophia Loren po konkurron në Big Brother

Alessandra Mussolini, mbesa e diktatorit fashist italian Benito Mussolini dhe një figurë e njohur, shpeshherë kontroverse në politikën dhe showbiz-in italian, është bërë pjesë e versionit italian të reality show-t Celebrity Big Brother. Alessandra ës...

Magazina

Alessandra Mussolini, mbesa e diktatorit fashist italian Benito Mussolini dhe një figurë e njohur, shpeshherë kontroverse në politikën dhe showbiz-in italian, është bërë pjesë e versionit italian të reality show-t Celebrity Big Brother.

Alessandra është vajza e Romano Mussolini, djali i katërt i Benito Mussolinit, dhe Maria Scicolone, motra e aktores së famshme Sophia Loren, çka e bën atë mbesë të kësaj të fundit.

Edicioni i tetë i këtij formati, i njohur në Itali si Grande Fratello VIP, u transmetua premierë më 17 mars në kanalin kryesor të Mediaset, Canale 5.

Karriera e Alessandra Mussolinit ka lëvizur ndër vite mes botës së artit dhe politikës. Fillimisht ajo provoi të ndiqte gjurmët e tezes së saj, duke u shfaqur në disa filma italianë mes viteve 1972 dhe 1990. Ndër to përfshihet edhe një rol i vogël përkrah Sophia Loren në filmin A Special Day të regjisorit Ettore Scola, i vendosur në kohën e vizitës së Adolf Hitler në Itali në vitin 1938.

Në vitin 1982, ajo publikoi edhe një album muzikor në Japoni me titull Amore.

Në fillim të viteve ’90, duke ndjekur gjurmët e gjyshit të saj, Alessandra hyri në politikë si pjesë e lëvizjes neofashiste në Itali, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të së djathtës. Ajo ka mbajtur disa mandate si deputete në parlamentin italian, si dhe ka shërbyer edhe si eurodeputete në Parlamentin Evropian. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka qenë shpesh e pranishme në emisione televizive dhe madje ka marrë pjesë edhe në versione të tjera të formateve të njohura, si “Dancing with the Stars”.

Hyrja e saj në “Grande Fratello VIP” shënon një rast të rrallë, pasi është hera e parë që një politikane e profilit të lartë në Itali bëhet pjesë e një reality show të tillë, duke hapur një kapitull të ri në raportin e saj me botën e argëtimit.

Përmes rrjeteve sociale, Mussolini ka paralajmëruar fansat për këtë eksperiencë të re me një mesazh entuziast: “Mbajuni fort, po hyj në shtëpinë e Big Brother si konkurrente. Do të kërcejmë, do të këndojmë dhe dua të mësoj nga të tjerët”. /Telegrafi/