Nga: Charlie Gammell, historian dhe ish-diplomat / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com
Ajatollah Ali Khamenei, një njeri jeta e të cilit u përcaktua nga ashpërsia e retorikës së tij kundër Perëndimit (veçanërisht ShBA-së dhe Izraelit) dhe nga sundimi i tij i pamëshirshëm, ka vdekur si martir nën rrënojat e kompleksit të tij në Paster të Teheranit.
Gjithsesi, gjithmonë pritej të përfundonte kështu. Khamenei u bë i njohur fillimisht si revolucionar dhe më pas si udhëheqës në kohë lufte, kur mori rolin e presidentit të Iranit gjatë Luftës Iran-Irak.
Republika Islamike po përballet me krizën më të rëndë që nga janari, kur nisi të shtypte protestat mbarëkombëtare përmes vrasjeve.
Në mungesë të një udhëheqësi suprem, ajo i është drejtuar një drejtimi të përkohshëm në formë komiteti, ndërsa organet shtetërore zgjedhin sundimtarin e ri. Mendohet se udhëheqësi i ri mund të jetë ish-presidenti reformist Hassan Rouhani ose Hassan Khomeini, nipi i Ruhollah Khomeinit, udhëheqësit të parë suprem të Republikës Islamike. Rrugët e Iranit janë njëkohësisht festive, të frikshme dhe hakmarrëse.
Republika Islamike është sigurisht e dobët dhe padyshim jopopullore, por sa afër rrëzimit realisht ndodhet do ta mësojmë vetëm në ditët në vijim.
Stili diplomatik i presidentit Donald Trump ndaj Iranit ka qenë, nëse jo tjetër, i paqartë. Pasi vendosi sanksione shkatërruese ndaj Republikës Islamike dhe vrau Qassem Soleimanin në mandatin e tij të parë, administrata e tij e dytë nisi me një takim mes Elon Muskut dhe Saeid Iravanit, ambasador i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork. Që atëherë, Trumpi u lëkund mes presionit diplomatik, kërcënimeve ushtarake dhe herë pas here përpjekjeve për diplomaci kreative përmes bisedimeve.
Në kulmin e protestave, Trumpi përdori një ton ideologjik, duke u përpjekur ta paraqiste veten si mbrojtës të popullit iranian dhe duke u bërë thirrje iranianëve të rrëzonin një regjim të armatosur rëndë dhe krejtësisht brutal me asgjë më shumë se duart e tyre.
Të mos harrojmë se nën Trumpin, mbështetja për mediat disidente iraniane në ShBA pothuajse ka përfunduar, dhe se USAID-i, dikur pararojë e fuqisë së butë dhe ndikimit, nuk është më në funksion. Në javët e fundit, bisedimet në Oman dhe Gjenevë kanë përparuar mirë, me Iranin që ka ofruar lëshime të paprecedenta për të ngjallur oreksin e figurave më të orientuara kah tregtia në Shtëpinë e Bardhë.
Por, nën këto lëvizje dhe ndryshime qëndron logjika e zymtë e vijave të kuqe të vendosura shumë larg njëra-tjetrës, armiqësive shumë të thella dhe ndjesisë brenda zyrës së ish-udhëheqësit suprem të Iranit se ata thjesht nuk mund të bëjnë marrëveshje me Satanin e Madh.
ADN-ja e Republikës Islamike është rezistenca dhe urrejtja ndaj ShBA-së, dhe ShBA-ja ia kthen këtë ndjesi. Këto janë rrymat më të thella që do të vazhdojnë të rëndojnë marrëdhëniet, nëse Trumpi përpiqet të vendosë në Teheran një figurë kukull me shije të Republikës Islamike, me të cilin ai mund “të bëjë biznes”. Ndonjëherë nuk ka befasi, vetëm modele që përsëriten vazhdimisht.
Megjithatë, pavarësisht retorikës fisnike të Trumpit – ai sërish u bëri thirrje njerëzve të guximshëm të Iranit të ngrihen dhe ta rrëzojnë Republikën Islamike – rezultatet më të mundshme janë që Republika Islamike ose të vazhdojë të rezistojë deri në fund, duke tërhequr ShBA-në dhe Izraelin brenda kufijve të Iranit për një konflikt të përgjakshëm, ose që Shtetet e Bashkuara të realizojnë një grusht shteti në Iran, duke vendosur në krye të vendit një figurë pragmatike nga Garda Revolucionare Islamike ose nga regjimi, e cila do të ishte e nënshtruar ndaj interesave ekonomike amerikane. Të shtunën, ndërsa sulmet ishin në vazhdim, Trump foli pozitivisht për disa figura të mira brenda regjimit që mund të ishin të interesuara të punonin me ShBA-në, megjithëse nuk tha saktësisht se për kë bëhej fjalë.
Por, duket e pamundur që, në afat të shkurtër, të materializohet ndonjë marrëveshje me ShBA-në nga brenda regjimit, të paktën për sa kohë Republika Islamike vazhdon të ketë struktura komandimi dhe kontrolli mbi popullin e saj.
Për më shumë, proksit e Iranit deri më tani nuk i janë përgjigjur thirrjes së Teheranit për veprim. Ka pasur tubime pro-Khamenei dhe antiamerikane në Irak, si dhe disa deklarata të ashpra aty-këtu, por dëmi i shkaktuar Katarit, Emirateve, Kuvajtit dhe Bahrejnit është drejtuar nga brenda Iranit. Ndoshta një shenjë se edhe proksit e Iranit e dinë se tani nuk është koha për të vënë bast mbi Republikën Islamike.
Kjo duhet parë si një tërheqje e përkohshme dhe jo si një braktisje e plotë. Në mungesë të levës përmes proksive të saj, taktika e Teheranit për të goditur fqinjët e Gjirit dhe vendet sunite synon të krijojë përçarje mes ShBA-së dhe aleatëve të saj rajonalë sunitë. Deri tani, kjo taktikë po jep efektin e kundërt. Fuqitë arabe shohin një mundësi të qartë që Republika Islamike, e parë prej kohësh si një kërcënim rajonal, mund të jetë në prag të rënies.
Çdo gjë që dobëson rivalin e tyre sektar dhe rajonal afatgjatë është e mirëpritur. Ajo që mund të mos mirëpritet është një luftë e fragmentuar që bëhet nxitëse e dhunës sunite-shiite në të gjithë Lindjen e Mesme. Sado i dobët të jetë Irani, ai ende mund të dëmtojë tregtinë, turizmin dhe infrastrukturën energjetike.
Politika e jashtme funksionon kur bashkërendohet përmes një përputhjeje mes taktikave dhe strategjisë dhe një logjike udhëheqëse të dallueshme, e dëshmuar me fjalë dhe vepra. A dëshiron Trumpi një Iran vërtet të lirë, të drejtuar nga burra dhe gra të mirë, apo ky konflikt është thjesht një taktikë e ashpër për të nxjerrë më shumë lëshime nga një udhëheqje e re iraniane, por jo shumë më ndryshe?
Vdekja e Khameneit padyshim sjell shpresë për popullin iranian që e dëshironte largimin e tij. Por, nëse shpërthen një luftë shkatërruese brenda Iranit, një gjakderdhje etnike po aq e dhunshme sa ajo që pamë në Irak, Siri, Libi dhe Afganistan, dhe/ose shfaqet një Republikë Islamike e rikonstruktuar, e favorshme ndaj ShBA-së, por ende brutalisht shtypëse, iranianët mund të mos e falënderojnë Trumpin.
Ajo që nevojitet është një plan i qartë që mund të bashkojë iranianët rreth një vizioni të përbashkët dhe përfshirës për vendin e tyre, që nuk është persianonacionalist (siç kemi parë nga Reza Pahlavi) dhe që nuk është vazhdimësi e këtij regjimi tiranik. Vetëm atëherë iranianët mund të fillojnë të shpresojnë për një të ardhme më të mirë, në të cilën Irani luan një rol pozitiv dhe ekonomikisht të begatë në skenën globale, një rol që përputhet me dhuntitë e tij të mëdha intelektuale, kulturore dhe artistike. /Telegrafi/






