Robelli: BE-ja reagon për serbët në Kosovë, por hesht për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka kritikuar atë që e cilëson si standard të dyfishtë të Bashkimi Evropian në trajtimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e komuniteteve në Ballkanin Perëndimor. Në një reagim në Facebook të shtunën, Robelli th...

Nacionale

Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka kritikuar atë që e cilëson si standard të dyfishtë të Bashkimi Evropian në trajtimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e komuniteteve në Ballkanin Perëndimor.

Në një reagim në Facebook të shtunën, Robelli tha se diplomacia evropiane është treguar shumë aktive në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosova, ndërsa, sipas tij, ka munguar reagimi kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonia e Veriut.

Ai vlerësoi angazhimin e përfaqësuesve evropianë për të drejtat e serbëve në Kosovë, duke theksuar se është “shumë mirë që ndërmjetësi i BE-së, Peter Sorensen, është angazhuar që jeta e qytetarëve serbë të Kosovës të lehtësohet sa më shumë që të jetë e mundur”.

Robelli iu referua edhe reagimeve të ambasadorëve të vendeve të mëdha evropiane, duke theksuar se është pozitive që diplomacia e BE-së po tregon kujdes për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Sipas tij, edhe kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, është treguar e vëmendshme për këtë çështje.

Megjithatë, ai theksoi se ekziston “një dallim i madh me heshtjen e BE-së” kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Sipas Robellit, në këtë shtet rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa së fundmi është përmendur mundësia që gjobat e trafikut të lëshuara nga policia të jenë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, jo edhe në shqip.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut refuzoi përdorimin e gjuhës shqipe në mesazhet për gjoba në trafik.

Robelli thekson se për rreth 3 për qind serbë në Kosovë ka një mobilizim të madh të diplomacisë evropiane, ndërsa për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, mungon reagimi nga qendrat kryesore evropiane.

“Për 3 për qind serbë në Kosovë kemi një mobilizim të madh të krejt diplomacisë evropiane… Por për 30 për qind shqiptarë në Maqedoninë e Veriut a flet ndokush nga Brukseli, Berlini, Parisi apo Shkupi?”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit të tij, Robelli theksoi se besueshmëria e Bashkimit Evropian varet nga qasja e barabartë ndaj të drejtave të komuniteteve joshumicë në rajon.

“BE mund të jetë kredibile vetëm nëse angazhohet pa dallime për të drejtat e të gjitha komuniteteve joshumicë në Ballkan. Nëse bën përjashtime, atëherë besueshmëria i afrohet zeros”, ka shkruar ai.