Robelli: Mobilizim i madh i diplomacisë evropiane për 3% serbë në Kosovë, a flet dikush për 30% shqiptarë në Maqedoninë e Veriut?

Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka reaguar sot pas deklaratave të ambasadorëve dhe kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas që përshëndeten marrëveshjen për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të huajt dhe atë për vetura në Kosovë.

Për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të huajt dhe atë për vetura sot, më 14 mars qëndroi për vizitë në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Peter Sorensen.


Sorensen në Prishtinë u prit nga kryeministri Albi Kurti, gjersa pas takimit u tha se Ligji për të huajt dhe ai për automjete do të nisë së zbatuari nga 15 marsi 2026, por me disa masa shtesë pasi preket komuniteti serb.

E lidhur me reagimet e shpejta dhe përshëndetëse të ambasadorëve të huaj dhe Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së ka reaguar gazetari dhe publicisti Enver Robelli.

Robelli në një postim në Facebook shkruan se për 3 për qind serbë në Kosovë ka një mobilizim të madh të krejt diplomacisë evropiane dhe kjo tregon se BE dhe vendet si Gjermania e Franca angazhohen për barazi mes qytetarëve të Kosovës, ndërkaq për 30 për qind shqiptarë në Maqedoninë e Veriut a flet ndokush nga Brukseli, Berlini, Parisi apo Shkupi?

Lexoni të plotë postimin e Robellit:

Dallimi i madh…

Shumë mirë që ndërmjetësi i BE-së Sorensen u angazhua që jeta e qytetarëve serbë të Kosovës të lehtësohet sa më shumë që të jetë e mundur dhe ligji për të huajt të mos bëhet pengesë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë.

Shumë mirë që ambasadori i Francës Guerot e përshëndeti angazhimin e BE-së për të drejtat e komunitetit serb.

Shumë mirë që ambasadori i Gjermanisë Rudolph po tregon kujdes për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Shumë mirë që edhe kryediplomatja e BE-së Kallas po tregohet e vëmendshme mbi të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

Dallim i madh me heshtjen e BE-së sa i përket tendencave për ta përjashtuar gjuhën shqipe nga përdorimi institucional në Maqedoninë e Veriut. Në këtë shtet 30 për qind e banorëve janë shqiptarë, por bosi i Gjykatës Kushtetuese thotë se gjobat që lëshon policia për shkak të shkeljeve në trafik do të jenë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, jo në shqip.

Për 3 për qind serbë në Kosovë kemi një mobilizim të madh të krejt diplomacisë europiane dhe kjo tregon se BE dhe vendet si Gjermania e Franca angazhohen për barazi mes qytetarëve të Kosovës. Fantastike!

Por për 30 për qind shqiptarë në Maqedoninë e Veriut a flet ndokush nga Brukseli, Berlini, Parisi apo Shkupi?

A flet zonja Kaja Kallas? Jo. Hesht.

A flet zonja Petra Drexler? Jo. (Kjo është ambasadore e Gjermanisë në Shkup).

A flet zoti Christophe Le Rigoleur? Jo. (Ky është ambasador i Francës në Shkup).

A flet Zyra e BE-së në Shkup?

(Shefi i kësaj zyreje quhet: Michalis Rokas).

A flasin Ministritë e Jashtme në Berlin a Paris? Jo.

(E saktë është po ashtu: nuk flet as qeveria në Prishtinë. As ajo në Tiranë).

BE mund të jetë kredibile vetëm nëse angazhohet pa dallime për të drejtat e të gjitha komuniteteve joshumicë në Ballkan. Nëse bën përjashtime, atëherë besueshmëria i afrohet zeros. /Telegrafi/