Gashi: Vendimi ndaj Shalës mund të përdoret si precedent në rastin e madh

Vendimi përfundimtar ndaj Pjetër Shalës po shihet nga juristët si një precedent që mund të ndikojë edhe në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Avokatët thonë se dënimi i Shalës është mbështetur në konceptin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, edhe pse sipas tyre nuk është vërtetuar se ai ka kryer personalisht një vrasje.

Në kërkesat e Pjetër Shalës drejtuar Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara në Hagë, njëra nga to për rivendosjen e dënimit prej 13 vitesh burgim lidhet me faktin se ai është shpallur fajtor për vrasjen e një personi, gjë për të cilën nuk u vërtetua asnjëherë. Por, dënimi ndaj Shalës është mbështetur në konceptin e së ashtuquajturës “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Aktgjykimi i Apelit në rastin e Pjetër Shalës është përmendur edhe në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku Prokuroria, mbështetet në këtë precedent për t’u atribuuar përgjegjësi të akuzuarve pa trajtuar veçmas secilin incident.

Në këtë kontekst janë shtuar kritikat ndaj Dhomave te Specializuara të Kosovës. Avokatët po e vlerësojnë të rëndë vendimin përfundimtar ndaj Pjetër Shalës, duke paralajmëruar se ky vendim mund të ketë ndikim edhe në rastin e madh ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve .

“Duke e konsideruar edhe z. Pjetër Shala si pjesë e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, atëherë nëse kjo merret si precedent, faktikisht është shumë e dëmshme në vendimin përfundimtar, në aktgjykimin përfundimtar për z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”, tha Tomë Gashi. Avokat.

“ Është dënuar në cilësi të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” dhe natyrisht që ky është një standard dhe një precedent i rrezikshëm i cili mund të ketë impakt edhe në procesin gjyqësor edhe ndaj katërshes së UÇK-së”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

Megjithëkëtë, Specialja në faqen zyrtare të saj në platformën X, ka publikuar një shkrim ku thuhet se gjyqtarët e Hagës sigurojnë se të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndaj kësaj kanë reaguar Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së të cilët thanë se kjo gjykatë ka bërë shkelje të drejtave të njeriut ndaj të paraburgosurve përfshi vizitat në raste vdekjesh të familjarëve.

“Në asnjë nen të asnjë ligji të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk thuhet që i paraburgosuri mund të rrijë në qendra të paraburgimit deri në 5 vjet, tashmë gjashtë u bënë pa marr epilog i gjithë procesi. Prandaj kjo është njëra prej atyre të mos respektimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e Gjykatës Speciale”, tha Gazmend Syla.

Edhe avokatët ndajnë mendim se Gjykata Speciale në Hagë shumë shpesh ka shkelur edhe të drejtat elementare të disa të paraburgosurve.

“Kur përfundon gjykimi atëherë nuk mund askush të ndikojë të dëshmitarët, as të provat dhe nuk ka asnjë rrethanë e cila do ta bindte Gjykatën Speciale t’i mbante në paraburgim sepse këta janë të padënuar dhe është e pa kuptimtë përveç jo ligjore”, tha Gashi.

“Mjafton të përmendim faktin që nga prilli i vitit që shkoi nuk ekziston asnjë nga kushtet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndërsa katërshja e UÇK-së vazhdon të qëndrojë nën këtë masë”, Bajraktari.

Pjeter Shala mund t’i drejtohet ende Dhomës Kushtetuese të Speciales, ndërsa në dhjetor 2025 ka paditur 27 shtetet e Bashkimi Evropian në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut./RTK