Dugolli flet për “komplot” kundër Kurtit: Ka më shumë aktorë sesa ata që duken në skenë

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj qëndrimeve të partive opozitare lidhur me çështjen e shpërbërjes së Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, Dugolli ka kritikuar PDK-në dhe LDK-në, duke thënë se këto parti gjatë konsultimeve me kryeministrin Albin Kurti për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Presidentit kishin deklaruar disa herë se nuk kanë votë për Osmanin.

Sipas tij, tani të njëjtat parti po e mbrojnë “me fanatizëm” vendimin e presidentes për shpërbërjen e Parlamentit, të cilin ai e cilëson si veprim të kundërligjshëm.

“Ky ndryshim i papritur i qëndrimit nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një skenar të mirëmenduar dhe të mirëkurdisur kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”.

“Por një gjë është e sigurt: e vërteta nuk mbetet gjatë e fshehur. Herët a vonë gjithçka del në dritë. Dhe gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se në këtë komplot ka shumë më tepër aktorë sesa ata që duken në skenë”, ka shkruar Dugolli./Telegrafi/