Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen direkte të presidentit

Me 6 vota për dhe 2 kundër, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar amendamentet kushtetuese të paraqitura nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Procesi nuk kaloi pa debate të forta ndërmjet anëtarëve të komisionit.

Deputeti i LVV-së, Adnan Abrashi, tha se tani janë krijuar rrethanat për të proceduar këtë proces. “Pyetja më e rëndësishme që të gjithë e shtrojmë sot është kjo: A duhet qytetarët e Kosovës të kenë të drejtën për ta zgjedhur presidentin e tyre me votë të drejtpërdrejt? Nëse po, ne si deputetë duhet ta avancojmë demokracinë deri në këtë përmasë,” tha Abrashi, duke kërkuar nga kryesuesi i komisionit Përparim Gruda që procedimi të mos vonohet.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, theksoi se procedimi i amendamenteve nuk duhet të bëhet me urgjencë. “Reformat kushtetuese kërkojnë analizë, kohë dhe debat të mirëfilltë. Procedimi i tyre në kushtet e krizës politike nuk përbën një zgjidhje afatshkurtër,” tha Lushaku.

Deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, nënvizoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar më parë përmbajtjen e këtyre amendamenteve si kushtetuese dhe komisioni duhet të përqendrohet në përmbajtjen dhe procedurën e tyre, duke i shqyrtuar “germë për germë” për t’i dërguar më pas në seancë plenare.

Edhe anëtari tjetër i LVV-së, Adnan Rrustemi, theksoi se rrethanat aktuale justifikojnë procedimin e amendamenteve në seancë plenare, pasi faza e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese është përmbushur. Ai shtoi se elementi i fundit që mbetet është votimi i deputetëve sipas procedurës kushtetuese.

Ndërsa kryesuesi i komisionit, Përparim Gruda nga PDK, u shpreh se amendamentet e paraqitura nga presidentja Osmani nuk mund të shqyrtohen menjëherë pasi datojnë nga një dekadë më parë.