Arrestohet 58-vjeçari nga Gjilani për kërcënime ndaj policëve dhe fyerje ndaj zyrtarëve të lartë

Foto: ilustrim

Një burrë me inicialet P.S. (58) nga Gjilani është arrestuar nën dyshimin se ka kërcënuar zyrtarë policie nga Bujanoci dhe ka publikuar komente fyese ndaj ministrave dhe gjeneralëve të Serbisë në rrjetet sociale, njofton Radio Televizija Srbije (RTS).

Sipas raportimeve, aksioni u realizua nga policia e Vranjas dhe Bujanocit, pas publikimeve që i dyshuari kishte bërë në profilet e tij në Facebook dhe Instagram.

Ai dyshohet se ka shpërndarë fotografi nga profilet private të dy zyrtareve policore. Në një nga postimet, nën fotografinë ku njëra prej tyre, me inicialet I.T., shfaqej me vajzën e saj të mitur, ishte lënë një koment me përmbajtje kërcënuese. Në publikime të tjera, janë drejtuar fyerje edhe ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.

I dyshuari është ndaluar për veprën penale “thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues” dhe sot pritet të dalë para organit kompetent për dëgjim. Hetimet mbi rastin janë ende në zhvillim.

Burimi: Radio Televizija Srbije (RTS)