Komuna e Bujanocit: Përfundon rregullimi i tualeteve në administratën komunale

Kryetari i Komunës të Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka përfunduar rregullimi i tualeteve brenda objektit të administratës komunale, të cilat për vite me radhë kishin qenë në gjendje të papranueshme.

Sipas tij, ky investim nuk përfaqëson luks, por një standard minimal që duhet të garantohet për çdo institucion publik. “Nuk është luks. Është standard minimal,” ka theksuar Pajaziti, duke shtuar se punëtorët e administratës meritojnë kushte të pastra, të sigurta dhe dinjitoze pune.

Ai ka vënë në pah se respekti ndaj punonjësve fillon nga plotësimi i nevojave bazike, ndërsa ka theksuar se kujdesi për stafin ndikon drejtpërdrejt në forcimin e institucionit dhe rritjen e efikasitetit në shërbim të qytetarëve.

Ky hap shihet si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e kushteve të punës brenda administratës komunale dhe ngritjen e standardeve në funksionimin e institucionit.