Enkel Rexhepi nderon figurën e Ibrahim Kadriut në Ditën e Referendumit

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, Enkel Rexhepi, në Ditën e Referendumit ka bërë homazhe pranë varrit të Ibrahim Kadriu, Kryetarit të Kuvendit të Referendumit, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e tij në organizimin dhe drejtimin e këtij procesi historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Përmes një postimi publik, Rexhepi theksoi se referendumi përfaqësonte shprehjen e vullnetit të lirë politik dhe një akt demokratik me peshë të veçantë historike, që dëshmoi qartë orientimin dhe aspiratat e popullit shqiptar në Luginë.

Ai gjithashtu shprehu respekt dhe mirënjohje për të gjitha figurat kyçe që kontribuan në realizimin e referendumit, duke vlerësuar angazhimin, guximin dhe përgjegjësinë e tyre në një moment vendimtar për të ardhmen e komunitetit shqiptar.

“Kujtimi i tyre mbetet obligim, ndërsa amaneti i tyre përgjegjësi,” theksoi Rexhepi, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe vazhdimit të angazhimit për të drejtat dhe aspiratat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.