Kapen cigare dhe mbi 119 kilogramë duhan i grirë pa akcizë

Sipas njoftimit dhe fotografive të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP), pjesëtarët e ministrisë, përkatësisht nga Drejtoria e Policisë Kriminale (UKP), Shërbimi për Luftimin e Krimit, Departamenti për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe Drejtoria Policore në Vrajë, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Vrajë, kanë arrestuar N.T. (1991) nga Kamenica/Kosovë.

Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “tregti e paligjshme me produkte akcize”.

Gjatë kontrollit të automjetit të tipit “Passat”, të cilin e drejtonte i dyshuari, policia ka sekuestruar 400 bokse cigare të markave të ndryshme, si dhe 119.5 kilogramë duhan të grirë pa pulla akcize të lëshuara nga organet kompetente të Republikës së Serbisë. Vlera e mallrave të sekuestruara vlerësohet rreth 1.500.000 dinarë.

Sipas autoriteteve, me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Republikës së Serbisë për rreth 2.000.000 dinarë.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe, pas kësaj periudhe, ai do të dërgohet me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Vrajë.