Vuçiq mbron kompanitë kineze të sanksionuara nga SHBA-ja në Serbi

Nacionale

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë në mbrojtje të kompanisë kineze Serbia Zijin Copper pasi autoritetet amerikane ndaluan importin e bakrit dhe produkteve të saj në SHBA për shkak të dyshimeve për përdorim të punës së detyruar. Pavarësisht këtyre akuzave, Vuçiq ka zgjedhur të mbrojë kompanitë kineze, duke argumentuar se ato kanë rëndësi të […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë në mbrojtje të kompanisë kineze Serbia Zijin Copper pasi autoritetet amerikane ndaluan importin e bakrit dhe produkteve të saj në SHBA për shkak të dyshimeve për përdorim të punës së detyruar.

Pavarësisht këtyre akuzave, Vuçiq ka zgjedhur të mbrojë kompanitë kineze, duke argumentuar se ato kanë rëndësi të madhe për ekonominë serbe dhe punësimin në vend.

Vuçiq e cilësoi vendimin e SHBA-së si të dëmshëm për Serbinë dhe tha se shteti do të bëjë gjithçka që mundet për ta ndihmuar kompaninë me bazë në Bor që të tejkalojë problemet e krijuara nga masa amerikane.

“Besoj se përmes dialogut me amerikanët do të mund të ndihmojmë të paktën disi kompaninë nga Bori, e cila punëson 7.000 njerëz dhe mban gjallë lindjen e Serbisë”, deklaroi ai gjatë një vizite në punimet e Korridorit të Frushka Gorës.

Sipas tij, ‘Serbia po paguan çmimin e rivalitetit gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës’.

Vendimi është marrë nga U.S. Customs and Border Protection (CBP), e cila njoftoi se ka bllokuar dërgesat e bakrit të prodhuara nga Serbia Zijin Copper pas një hetimi që, sipas saj, zbuloi elemente të punës së detyruar në procesin e prodhimit dhe përpunimit të mineralit të bakrit.

Autoritetet amerikane thanë se punëtorët në kompani janë përballur me gjashtë tregues të punës së detyruar, të përcaktuar nga International Labour Organization: shfrytëzim të pozitës së cenueshme, mbajtje të pagave, kërcënime dhe frikësim, kufizim të lëvizjes, konfiskim të dokumenteve personale dhe punë të tepërt jashtë orarit.

Kompania Zijin Copper i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se kundërshton çdo formë të punës së detyruar dhe se po kryen verifikime të brendshme lidhur me pretendimet.

Ndërkohë, organizata China Labor Watch ka raportuar më herët se ka dokumentuar raste të konfiskimit të dokumenteve personale, orareve të gjata të punës, kushteve të pasigurta dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes për punëtorët në operacionet e Zijin-it në Serbi.

Zijin nuk është kompania e vetme kineze në Serbi që është goditur nga masa të ngjashme amerikane. Më parë, SHBA-ja ndaloi edhe importin e gomave të prodhuara nga Linglong Tire në Zrenjanin, gjithashtu për shkak të dyshimeve për përdorim të punës së detyruar. /REL