Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar sot ashpër dënimet që shqiptohen për rastet e dhunës ndaj grave.
Ajo gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet pas vrasjes së Arlinda Zekajt, tha se dënimet aktuale janë tepër të lehta dhe, sipas saj, në shumë raste as nuk shqiptohen në përputhje me dispozitat ligjore.

Osmani theksoi se në lidhje me rastin duhet të ketë shkarkim të menjëhershëm dhe përgjegjësi penale për tërë zinxhirin komandues.
“Dënimet aktuale janë tepër të lehta. Aq të lehta saqë nxisin dhunën dhe aq të lehta saqë as ato nuk shqiptohen nga gjykatat tona. Merreni me mend, sipas vlerësimeve të vetë institucioneve të drejtësisë, në shumicën dërrmuese të rasteve dënimet jepen edhe më të lehta sesa parashihen me ligj. Ligji thotë edhe burgim, edhe gjobë, ata japin vetëm gjobë. 300 euro. Kaq është vlera e një gruaje dhe e jetës së saj në sistemin tonë të drejtësisë… Jo vetëm shkarkim i menjëhershëm, por edhe përgjegjësi penale për tërë zinxhirin komandues”, tha ajo.