Përpjekjet për të zbardhur fatin e personave që ende mungojnë nga lufta në Kosovë duhet të jenë të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të përqendruara te viktimat dhe familjet e tyre.
Kështu ka deklaruar Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK, Peter Due, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara.
Due tha se, pavarësisht përparimit të bërë, shumë familje vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e të afërmve të tyre.

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë.”
Sipas UNMIK-ut, mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Duke iu referuar gjetjes së fundit të mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet t’u përkasin së paku 23 personave, Due tha se kjo dëshmon se edhe pas dekadash pritjeje, përgjigjet për familjet mund të gjenden.
“Ne qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që kanë pritur kaq gjatë për ndriçimin e fatit të tyre dhe bëjmë thirrje që të drejtat dhe nevojat e tyre të qëndrojnë në qendër të përpjekjeve.”
Ai theksoi se UNMIK-u do të vazhdojë mbështetjen për familjet e personave të zhdukur, përfshirë ndihmën psikologjike dhe forma të tjera të asistencës.
Due bëri thirrje për zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së për personat e zhdukur, vazhdimin e punës përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe përpjekje të përbashkëta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.
Kjo ditë shënon edhe 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.
UNMIK-u ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë familjet në përpjekjet e tyre për të realizuar të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre. /Telegrafi/





