Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, pranoi se nuk ishte aspak i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, pavarësisht fitores 2-1 ndaj Norvegjisë pas vazhdimeve dhe kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
“Tre Luanët” siguruan një vend mes katër kombëtareve më të mira falë dy golave të Jude Bellinghamit, i cili përmbysi epërsinë e hershme të Norvegjisë.
Megjithatë, pas ndeshjes, Tuchel nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si luajti skuadra e tij.
“Ne ia bëmë jetën shumë, shumë të vështirë vetes sot. Rezultati është fantastik. Jemi në gjysmëfinale, gjë që është e pabesueshme, por nuk jemi të kënaqur me paraqitjen tonë”, tha Tuchel.
Kur u pyet se çfarë konkretisht nuk i kishte pëlqyer, tekniku gjerman dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Në çdo aspekt. Përsëri, përkushtimi ishte aty, por mënyra se si luajtëm vetëm sa na e vështirësoi punën. Ishim të pakujdesshëm, bëmë shumë gabime teknike, nuk lëvizëm mjaftueshëm shpejt dhe nuk ishim të qëndrueshëm. Sot ishim me fat”.
Gazetarët e pyetën nëse lojtarët e tij ishin ndikuar psikologjikisht nga rëndësia e një çerekfinaleje të Kupës së Botës.
Tuchel reagoi menjëherë: “Nuk është çështje mentaliteti. Ky është mentalitet i pastër. Si mund të më pyesni për mentalitetin? Ky është mentalitet i pastër, mund ta paketoni dhe ta shisni”.
Ai theksoi se problemi i vetëm ishte niveli i lojës së skuadrës.
“Problemi është cilësia e futbollit tonë. Kaq. Nuk ka të bëjë aspak me mentalitetin”.
Anglia ka kaluar disa sfida të vështira në këtë Botëror. Ajo eliminoi Meksikën, pavarësisht se luajti me një futbollist më pak, ndërsa vuajti edhe në raundin e 16-të ndaj Republikës Demokratike të Kongos.
Pavarësisht kësaj, Tuchel beson se skuadra e tij ende nuk e ka treguar potencialin maksimal.
“Do të jemi më të mirë. Duhet të jemi më të mirë. Por tani është koha të festojmë”, përfundoi përzgjedhësi i Anglisë. /Telegrafi/






