Argjentina në avantazh ndaj Zvicrës pas 45 minutave – Messi asiston, Mac Allister shënon

Sport

Argjentina e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi minimale 1-0 ndaj Zvicrës, në një duel të fortë dhe fizik, ku skuadra e Lionel Scalonit arriti të shfrytëzojë një nga rastet e pakta të pastra për gol. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 10-të. Lionel Messi mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje nga këndi […]

Madhësia e shkronjave

Argjentina e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi minimale 1-0 ndaj Zvicrës, në një duel të fortë dhe fizik, ku skuadra e Lionel Scalonit arriti të shfrytëzojë një nga rastet e pakta të pastra për gol.

Goli i avantazhit erdhi në minutën e 10-të. Lionel Messi mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje nga këndi dhe harkimi i tij në zonë u shfrytëzua në mënyrë perfekte nga Alexis Mac Allister, i cili me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Pas golit, kampioni i botës tentoi të menaxhojë avantazhin, duke u mbështetur në qarkullimin e topit dhe sigurinë në prapavijë.

Zvicra, megjithatë, nuk u dorëzua dhe filloi të rrezikojë më shumë. Granit Xhaka ishte aktiv në mesfushë, duke udhëhequr lojën e zviceranëve, ndërsa Fabian Rieder dhe Djibril Sow tentuan të krijojnë hapësira përpara.

Rasti më i mirë për Zvicrën erdhi në minutën e 20-të, kur Sow goditi nga distanca, por Emiliano Martinez ishte i pozicionuar mirë dhe priti pa shumë vështirësi.

Zvicra pati rastin më të mirë për barazim në minutën e 31-të, kur Breel Embolo ishte në rast të mirë, por u rrëzua para portës.

Pjesa e parë u shoqërua me shumë duele të ashpra dhe ndërhyrje të forta. Gjyqtrari portugez Joao Pinheiro u detyrua të ndërpresë shpesh lojën për shkak të faulleve nga të dyja skuadrat.

Në fund të 45 minutave, Argjentina mbetet në avantazh falë golit të Mac Allisterit, ndërsa Zvicra duhet të gjejë një mënyrë për të thyer mbrojtjen argjentinase në pjesën e dytë. /Telegrafi/